“Arber Zaimi, milic i Sheshelit qe vjen me na shite mend ne Kosove se ne Tirane nuk ia blen kush. Mrrrsh ne kotecin tend!”, kështu kishte shkruar në rrjetin e saj social kryeredaktorja e gazetës Zëri, Arbana Xharra duke reaguar ndaj një kritike të Zaimit drejtuar gazetares në raport me qëndrimet e saj publike lidhur me temën e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Ky reagim i Xharrës kishte ngjallur edhe shumë kundër reagime të zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje që dënuan gjuhën e përdorur.
“Ti paske të drejtë të kritikosh Sali Berishën, Edi Ramën e këdo tjetër nga Shqipëria, por nëse dikush nga ata po e kritikojka qëndrimin tënd ti e përzen në “kotecin” e tij? Milic i Sheshelit?? Tepër e Ulët…nën çdo nivel”, kishte shkruar Erzen Vraniqi, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
Ndërkohë, sot vetë Zaimi përmes një njoftimi në rrjetin social ka bërë të ditur se është pranuar ankesa e tij lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore për dëbimin e tij nga Kosova.
“Sapo mora njoftimin nga avokati Tomë V. Gashi se Gjykata e Apelit në Kosovë e ka gjetur si të bazuar ankesën time ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila ka bërë një numër formulimesh të gabuara, shkeljesh, e kundërthëniesh në lidhje me gjykimin e rastit të dëbimit tim nga Kosova. Gjykata e Apelit e ka prishur pra vendimin e Gjykatës Themelore që thoshte se dëbimi im ishte i ligjshëm.
Madje Gjykata e Apelit ka gjetur se në vendimin e Gjykatës Themelore për rastin tim, është shkelur parimi kushtetues si edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Është shkelur e drejta për gjykim të drejtë, të pavarur dhe në kohë të arsyeshme.
Ky është një lajm i mirë, falë ndihmës së avokatit Gashi, por edhe punës së palodhur të specialistit e shokut tim Armend Shkoza që ka përgatitur me shumë kujdes e rigorozitet materialet.
Shpresoj që të marrim njoftime të tilla sa më shpejt për rastet e Boiken Abazit dhe Dejona Mihalit. Shpresoj që lajme të tilla të marrin edhe ata mijëra të pafajshëm dhe viktima të padrejtësive që presin me vjet në dyert e gjykatave”, ka shkruar Zaimi.
Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Boiken Abazi ishin tre zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje që u deportuan nga Kosova. Sipas deklarimeve të organeve të rendit, ata ishin të dyshuar për vepra penale në vendin tonë, në bazë të dispozitave të Ligjit për të Huaj nr.04/L219, shtetasit e huaj që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore mund të sanksionohen me gjobë, urdhër-largim vullnetar, me ndalesë të hyrjes dhe urdhër-largim me forcë, po ashtu me ndalesë të hyrjes në territorin e Kosovës. Ndërsa sipas ligjit për të huajt, një të huaji mund t’í ndalohet hyrja në Kosovë nga 30 ditë deri në 5 vite./Sakte.net