Gjykata e Apelit vërteton pafajësinë e Nuhi Ukës në lidhje me ish-pronat shoqërore

Nuhi Uka e ka fituar pafajësinë e tij nëpërmjet Gjykatës së Apelit në rastin në lidhje me ish-pronat shoqërore ku ishte i dënuar me dy vjet burg me kusht. Akuzat që rëndonin kundër ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës ishin pengim i procedurës apo i të provuarit. Për të njëjtat akuza ai ishte liruar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

 

Ndërsa tani vendimin e kësaj Gjykate e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Kundër këtij vendimi Prokuroria Themelore në Prizren më 24 qershor të këtij viti kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar se ka pasur shkelje procedurale nga Gjykata e Prizrenit.

Kjo aktakuzë e prokurorit të EULEX-it pas kërkesave të mbrojtjes ishte hedhur me aktvendimin e datës 31 maj 2016 për të pandehurin Nuhi Uka ndërsa për të pandehurit e tjerë Remzi dhe Hariz Potoku ishte hedhur vetëm për pjesën që ka të bëjë me veprën penale  – tentim pengimi i të provuarit.

Gjykata e Apelit duke analizuar këtë lëndë ka konstatuar se nuk ka gjetur prova se i pandehuri Nuhi Uka ka biseduar apo është takuar me të dëmtuarën në ndonjë takim apo bisedë që do të mund të vlerësohej si ndikim apo tentim i ndikimit në dëshmitar për ndryshimin e deklaratës.

Kolegji i Apelit më tej konstaton se i pandehuri Nuhi në asnjë formë nuk ka qenë i implikuar në kryerjen e veprës penale “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 8 shtator 2014 nga prokurori i EULEX-it në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Nuhi Uka, Remzi dhe Hajriz Potoku, Hamit Ajvazi dhe Halit Jusufi, akuzoheshin se në bashkëkryerje janë pajtuar për t’i premtuar dhe paguar përfitime materiale Halit Jusufit dhe Majlinda Jusufit si të dëmtuar.

Sipas Prokurorisë qëllimi ishte për të ndryshuar deklaratën e dhënë më parë lidhur me një lëndë.

Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës para pak muajsh është shpallur i pafajshëm nga Apeli edhe në një rast tjetër kundër tij.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme