Analisti Fatos Lubonja ka komentuar vendimin e gjykatës për rikthimin e ambientit të News24 dhe kthimin e sendeve të sekuestruara nga kompania “KAYO”, duke e cilësuar aktin si “banditesk”.
Ai theksoi se “ky akt nuk mund të kalojë pa ndëshkim” dhe shprehu shqetësimin për pasojat morale dhe traumat e krijuara.
Fatos Lubonja: Vendimi i gjykatës tregon banditizmin e atyre që kanë kryer aktin. Është akt banditesk që nuk mund të kalojë pa ndëshkim. Këtu ka ardhur një Ardi Veliu, i cili rezulton i lidhur me krimin e organizuar në dosjet e SPAK. Ai ka prapa krimin; imagjino se në dorë të kujt është shteti. E para kjo. E dyta, ka një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë është se rezistenca e atyre që ngritën zërin vlen, sepse mund të mos kishte pasur asnjë rezistencë. Edhe pse, për mendimin tim, rezistenca është tkurrur shumë dhe goditjen më të madhe e ka marrë kur u shemb Teatri.
E dyta, mendoj që ata deshën ta tregonin këtë punë, e bënë. Nuk i heq meritën gjyqtarit që ka marrë vendimin; mbetet një lloj këshillë. E keqja është se mund të shitet sikur drejtësia në Shqipëri funksionon. U mor vendimi, por ky dëm moral, kjo traumë, këta banditë që veprojnë këtu, a do të marrin ndonjë vendim nga drejtësia?



