Gjykatësi suprem Georgiev i përfshirë edhe në zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve

Gjykatësi suprem Naqe Georgiev është arsyeja e bastisjeve të djeshme në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë. Analiza e telefonit të Georgiev, i cili aktualisht është nën hetim për “ryshfet” ka nxjerrë në pah praninë e mundshme të një vepre tjetër penale. Analiza ishte kryer nga Prokurori Publik i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Gjatë analizës së telefonit të të dyshuarit janë marrë informacione që tregojnë për kryerjen e mundshme të një vepre tjetër penale. Si rezultat, për të hetuar të dhëna të tilla, prokurori në fjalë ngriti lëndë përmes të së cilës i parashtroi kërkesë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup për konfiskimin e dy telefonave celularë nga një i punësuar në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, si dhe një video dhe dy dosje për një ish kandidat dhe një kandidat aktual të Akademisë.”

Një ditë më parë, bastisja në Akademi në të cilën u sekuestruan të dhëna elektronike nga sistemet kompjuterike, celularët dhe dosjet nga zgjedhja e disa gjykatësve dhe prokurorëve, u krye nga pjesëtarët e dy departamenteve, atij të policisë kriminale dhe atij kundër krimit të organizuar. Ndërkaq, gjykatësi Naqe Georgiev ndiqej veçmë për veprën tjetër “pranim i ryshfetit për ndikim të paligjshëm” në një shumë prej 10 mijë eurosh. Sipas hetimeve të deritanishme ai kishte marrë ryshfet nga djali i ish kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, ky i fundit i akuzuar për kontrabandë me cigare. Por, rastin e ryshfetit e kishte denoncuar vetë djali i Stojçevit. Sipas Prokurorisë Publike, në këtë skemë përfshihej edhe anëtari i Këshillit të Prokurorëve Ixhet Memeti. Georgiev duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe ndikimin, bashkë me Memetin, sipas Prokurorisë, dhe në mënyrë të rrejshme kishin premtuar favore për zbutjen e dënimit për ish kreun e komunës Stojçev. Georgiev gjendet tashmë në paraburgim që prej datës 21 maj, ndërsa ndaj Memetit, i cili pavarësisht se i mohoi akuzat, u caktuan masa kujdesi. Paraprakisht, për hetimin e rastit, Këshilli Gjyqësor kishte miratuar heqjen e mandatit për gjykatësit Georgiev. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme