Këtë të shtunë në orën 10.00 të paradites, ka nisur seanca për dhënien e masës së sigurisë së gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha.
Përpara fillimit të gjyqit te Gjykata e Posaçme ishin mbledhur edhe shumë familjarë të akuzuarve, pas përgjimeve dhe hetimeve të SPAK.
Mes të tjerëve përpara kamerave të shumta ka folur edhe vajza e gjyqtares, e cila ka lëshuar për mediat disa deklarata të forta.
Gjithashtu ajo morri në mbrojtje figurën e nënës së saj dhe akuzoi median që po i dëmton imazhin
“Mamaja ime ka qenë e detyruar që të japë ato vendime…Ka 16 vjet në Krujë, media po i dëmton imazhin, nuk ka në pronësi asnjë makinë e shtëpi. Media po i dëmton imazhin. Do marrim pjesë në seancën e mamit, mami është shumë e ndershme dhe e pastër, ka pasur një arsye të fortë për t’i liruar ata”, tha ajo për mediat.
Edhe babai i gjyqtares në të njëjtë linjë, foli për kërcënime të shumta ndaj vajzës së tij.
Kujtojmë që dy ditë më parë gjyqtarja Enkelejda Hoxha së bashku me 10 të tjerë janë arrestuar me urdhër të SPAK, teksa ishin në një seancën gjyqësore, ku kësaj here do t’i jepnin lirinë Sajmir Petanit i dënuar për vrasje.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është gjyqtarja e Krujës, e cila ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Po ashtu Hoxha ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
© SYRI.net