Gjyqtarët shqiptarë që kërkuan favore seksuale ndaj grave të divorcuara

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën masën arrest me burg ndaj gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, Roland Hysi, dhe të psikologes Elona Meçani, me akuzën e korrupsionit.

Të dy ndodhen tashmë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Roland Hysi, 50 vjeç, dhe Elona Meçani, 28, u përfshinë në një skandal korruptiv të rëndë të zbuluar nga media.

Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të bërë mbrëmjen e së martës në emisionin investigativ “Stop”, në televizionin Klan. Me anë të kameras së fshehtë tregohej sesi 50-vjeçari Hysi shfaqej duke marrë 500 euro ryshfet dhe kërkonte favore seksuale një gruaje të divorcuar, për t’i dhënë asaj kujdestarinë e fëmijës. Ndërsa psikologia 28-vjeçare bënte rolin e sekseres. Rrjetet sociale kanë shpërthyer në zemërim me komente ndaj të dyve, sidomos ndaj psikologes.

“Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike””, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy të ndaluarit gjenden aktualisht në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë.

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm është një vepër penale që dënohet deri me 2 vjet burg ndërsa korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dënohet deri në katër vjet burg.

Bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, e cila është në rolin e ndërmjetëses. Në pamje shfaqet fakti se zonja i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi gjyqi të përfundojë në favorin e saj. Ndërkohë, në ambientet e një lokali shfaqet gjyqtari Roland Hysi i cili i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar.

Ky është i disati rast i skandaleve me korrupsion në drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit, kur gjyqtarët kërkojnë favore seksuale.

Në vitin 2016, gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u vu nën hetim, u shkarkua dhe më pas u dënua pasi u denoncua nga një shtetase, e cila gjendej në gjyq divorci, por u shantazhua për të ofruar seks në këmbim të vendimit.

Po në vitin 2016, një video tjetër përgjimi tregoi ish-gjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi i cili gjithashtu kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Boçi u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë por hetimi ndaj tij u pushua pa akuzë në vitin 2018.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme