Gazetar: Adnan Qaili
Zhan Mitrev doli para mediave pesë muaj pas “bombës atomike mediatike” siç e quan ai skandalin me metodën e hemo-flitrimit të pacientëve të sëmurë nga kovid 19, të cilët u trajtuan në Klinikën e tij gjatë viteve 2020-2022. Mitrev hodhi poshtë akuzat duke thënë se mbi gjysma e pacientëve, të cilët iu kanë nënshtruar terapisë së hemofiltrimit nga 3,000 mijë euro, shpëtuan.
“Kemi informacione te sakta, mendoj se mbi 50% kanë mbijetuar vetëm ata pacientë që iu është bërë hemo-filtrimi. Ata ishin pacientët me gjendjen më të rënduar shëndetësore. Nga 1,738 pacientë që janë trajtuar nga kovid-19, vetëm 625 janë vënë në hemo-filtrim. Do të thotë, assesi, nuk mban teza që ne me hemo-filtrim kemi bërë të ashtuquajturën ‘biznes’ dhe i kemi shtyrë njerëzit tu bëjmë pastrimin e gjakut. Kjo ishte një shans më tepër për të mbijetuar, përndryshe ata pacientë 100% do ishin të vdekur”, tha Zhan Mitrev, Doktor.
Ndonëse nga Ministria e Shëndetësisë paralajmëruan sërish që deri në fund të tetorit do të del raporti përfundimtar për inspektimin e lëndëve të pacientëve që iu kanë nënshtruar hemo filtrminit akoma s’ka një raport final.
“Akoma nuk kemi marr raportin përfundimtar të grupit të ekspertëve që janë autorizuar për kontrollimin e mbi 600 lëndëve të pacientëve të infektuar nga kovid-19, të cilët iu janë nënshtruar hemo-filtrimit në Klinikën Zhan Mitrev. Kur të arrijmë konstatimet do të njoftohet opinioni dhe organet përkatëse”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Prokuroria thonë se rasti vazhdon të trajtohen me intensitet nga prokurori përgjegjës, i cili vazhdon të mbledh dëshmi për të vërtetuar dyshimet e bazuara mbi veprën penale “mashtrim” ndaj Zhan Mitrev. Përderisa çështja është në procedurë hetimore, akoma nuk ka të ngritur një akuzë për doktorin Mitrev, të cilit i është marrë pasaporta dhe vazhdon të mbahet në masa të kujdesit të shtuar nga Prokuroria. Për ti shpëtuar masës së paraburgimit, ai ka ofruar garancinë prej 1 milion euro se nuk do të arratiset./Alsat.mk