Rreth gjysma e serbëve të veriut në pesë vitet e ardhshme nuk e shohin vetën në Kosovë.
Ndërsa ajo që duhet theksuar, është se çdo i treti person i anketuar i moshës nga 18 deri në 29-vjeç dhe çdo i treti i anketuar me diplomë universitare ka thënë se është duke planifikuar që të largohet nga Kosova për të jetuar diku tjetër, shkruan gazetametro.net.
Të pyetur nëse dikush nga të afërmit e tyre kanë braktisur Kosovën në gjashtë muajt e fundit, 45 për qind janë përgjigjur me, po.
Derisa, mbi 90 për qind të anketuarve besojnë se zhvillimet në veri nuk janë duke shkuar në drejtim të mirë. Krahasuar me anketimin paraprak, rezultatet e këtij të fundit tregojnë për trend të disponimit negativ në shkallën prej 16 për qind.
Serbët e veriut gjithashtu nga ky anketim shihet se kanë diskonim tejet negativ ndaj Bashkimit Europian. Ata në masë BE’në e shohin si të anshme pro shqiptarëve dhe thonë se do ta kundërshtonin integrimin e Kosovës në Union.
Rreth 80 për qind e serbëve besojnë se BE po ja mban anën Kosovës në bisedimet e Brukselit.
Të pyetur nëse do të mbështesnin hyrjen e Kosovës në BE mbi 60 për qind thonë se nuk do ta bënin këtë, rreth 30 për qind e shohin si jo relevante, dhe vetëm rreth 10 për qind janë pro.
Kur është në pyetje mbështetja nga fuqitë e mëdha, ata e shohin Rusinë si partnerin e tyre nga i cili duhet orientuar.
Ndërsa, lidhur me eksperiencat e tyre nga takimet me shqiptarët vetëm 15 për qind thonë t’i kenë pasur si pozitive, shumica kanë opinion neutral, dhe nga 20 për qind thonë të kenë pasur eksperienca negative, respektivisht nuk kanë pasur kontakte asnjëherë.
Serbët e veriut vazhdojnë të jenë kundër hapjes së urës së Ibrit. Rreth 77 për qind e tyre thonë se hapja e kësaj ure do të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë, 20 për qind thonë se ajo nuk do të kishte ndikim dhe vetëm 2.4 përqind mendojnë se kjo do të ndikonte pozitivisht.