Pak muaj pas përfundimit të spektaklit Big Brother VIP Kosova 3, një skandal i ri ka tronditur rrjetet sociale dhe opinionin publik.
Finalistja Xheneta Fetahu ka publikuar disa biseda telefonike të incizuara me Drilon Ramën, fituesin e këtij edicioni, duke e akuzuar atë për sjellje të pandershme dhe kërcënime.
Në audio-përgjimet e publikuara, Driloni dëgjohet duke i kërkuar takim Xhenetës në orët e vona të natës, duke lënë të kuptohet qartë se ka prirje për flirt me të. Për më tepër, ai shprehet se nuk ka më interes për Sarën, vajzën me të cilën krijoi një lidhje brenda shtëpisë së BBVK 3.
Në një pjesë të audios, Driloni i drejtohet Xhenetës me fjalët: “S’kam takuar askënd nga Big-u sepse s’dua të merrem me askënd më, përveç teje Xhenetë. A duhet ma ardh pa të pyet a? Qysh bre Xhenetë s’po del (në takim). Po du me t’pa live e jo veç me ta dëgju zërin. Me të kallzu drejt më ka marr malli veç për ty”.
Sipas Xhenetës, ajo vendosi t’i publikojë këto incizime pasi ishte e kërcënuar nga Driloni dhe menaxheri i vet. Ajo nuk dha detaje të tjera mbi natyrën e kërcënimeve, por theksoi se dëshironte të mbrohej dhe të tregonte të vërtetën për sjelljen e boksierit pas përfundimit të spektaklit.
Drilon Rama ende nuk ka reaguar publikisht mbi akuzat, por pritet që ky zhvillim të ketë një ndikim të madh në imazhin e tij si fitues i edicionit të tretë të BBVK. /Telegrafi