Grabitja e bankës në Koplik, policia zbardh ngjarjen: Kush janë 3 të arrestuarit, 2 ishin vëllezër, njëri prej tyre mbante radio policie

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Hamdi Fjora dhe prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër Gëzim Spahiu, konferencë për zbardhjen e grabitjes në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Shkodër.


Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi të Madhe ku persona të armatosur morën një sasi të kosniderueshme parash në një bankë.

“Jemi sot këtu, së bashku me prokurorin e çështjes, për të komunikuar mbi rezultatet e arritura gjatë megaoperacionit policor të koduar “Syri i Sheganit”, gjatë të cilit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i grabitjes me armë e dhunë të filialit të një banke të nivelit të dytë në Koplik të Malësisë së Madhe, identifikimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar, si dhe u gjetën dhe u sekuestruan prova që i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Në lidhje me këtë ngjarje u ndaluan 3 autorë të dyshuar.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, ku persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Shkodër, organizoi punën për zbardhjen e kesaj ngjarjeje.

Pas një pune të mirorganizuar dhe ndjekjes me metoda proaktive, për një periudhë 4-javore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga strukturat policore vendore, si dhe në provat e grumbulluara nga hetimi, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje kriminale.

Bazuar mbi këto prova, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër autorizoi kryerjen e kontrolleve në disa banesa dhe ambiente në të cilat dyshohet se mund të fshiheshin autorët apo mund të përdoreshin prej tyre.

Në këtë kuadër, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorinë FLO, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Syri i Sheganit”.

Si rezultat u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare.

Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.

Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.

Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Aktualisht është duke vijuar kontrolli nga polumbarët e RENEA-s, për të bërë të mundur gjetjen e tyre. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme