Grabovci gjatë nëntorit dëshmon në rastin Limaj

Adem Grabovci do të jetë dëshmitar në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së dhe njëri nga njerëzit më të përfolur në Kosovë pas publikimit të aferës së përgjimeve në Insjaderi, do të jetë dëshmitar i prokurorisë në rastin ku Fatmir Limaj po akuzohet për krim të organizuar.

Dëshminë e Grabovcit gjatë muajit nëntor e përmendi prokurori i rastit Limaj, Charles Hardaway kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma për dëshmitarët që do të ftojë.

Grabovci ishte zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga Fatmir Limaj.

Çështja e Grabovcit ishte diskutuar edhe më parë në këtë proces kur prokurori Hardaway kishte kërkuar përjashtimin e avokatit të Nexhat Krasniqit, Florent Latifaj, pasi që ky avokat në një proces tjetër mbron Adem Grabovcin.

Kërkesa e prokurorit Hardaway ishte refuzuar.

Para njoftimit të prokurorit Hardaway për dëshmitarët e radhës në këtë proces, dëshminë e tij e përfundoi Bekim Shkodra, djali i të ndjerit Mehmet Shkodra që kishte denoncuar rastin në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Dëshmitari Shkodra dje gjatë marrjes në pyetje nga prokurori kishte deklaruar se ishte takuar me Limajn në korridorin e Ministrisë së atëhershme të Transportit, ndërsa pikërisht lidhur me këtë deklarim u koncentrua edhe marrja në pyetje e avokatit Kharim Kan.

I pyetur se a kishte njohur dëshmitari për Limajn para se ta takonte dhe se a ishte takimi i planifikuar, dëshmitari u përgjigj se në Prishtinë kishte shkuar për një çështje tjetër.

“Unë në Prishtinë kam shkuar për një kontroll shëndetësor të një të afërmi tim dhe babai im më ka kërkuar që pasi që jam në atë rrugë ta marr dosjen e tenderit”, tha Shkodra.

Shkodra, mohoi që takimi të ishte i planifikuar, apo që ndonjëherë para atij rasti ishte takuar me Limajn në katër sy.

Shkodra gjithashtu para trupit gjykues mohoi të ketë komunikuar ndonjëherë me Limajn në telefon me SMS apo në çfarëdo mënyre qoftë.

I pyetur nga avokati Kan lidhur me një SMS ku thuhej “Do të shkoj të ministri për të parë se çfarë ka për të thënë”, a ka mundësi që referimi ndaj ministrit të ishte për Ministrinë e Shëndetësisë, Ministri kjo në të cilën dëshmitari kishte kërkuar disa herë asistencë për shërimin e të afërmit të tij, dëshmitari u përgjigj se ashtu duhet të jetë.

“Nuk po më kujtohet ky SMS, po me siguri ka qenë për çështjen e të afërmit tim dhe assesi për Limajn,” tha dëshmitari.

Në këtë gjykim bashkë me Limajn akuzohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com raportoi dje për mbylljen e pjesshme të seancës ku dëshmoi Bekim Shkodra, për shkak se dëshmitari nuk ndihej mirë para kamerave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme