Xhevat Demiri shef i repartit të Infektologjisë në spitalin e Gjilanit tha për rajonipress se edhe rajoni i Anamoravës është i prekur nga gripi sezonal, por gjendja nuk është alarmante. Gjithçka është nën kontroll, por për shkak se gripi atakon fëmijët dhe ata që janë më pak të rezistueshëm Demiri jep disa këshilla.
Rajoni i Anamoravës është atakuar nga gripi sezonal, por situata nuk është alarmante sepse gjithçka është nën kontroll. Kështu vlerëson Xhevat Demiri shef i repartit të infektologjisë në Gjilan.
Demiri tha për rajonipress se ndonëse nuk ka ndonjë statistikë të saktë rreth numrit të të prekurve me këtë grip, megjithatë ka plotë raste dhe frekuentim i pacientëve edhe në spital, por edhe në ambulancat private.
Demiri tha se gripi sezonal është një infeksion akut viral që transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikzave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekte me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e këtij gripi.
Sipas Demirit gripi shkaktohet nga virusi A, B, C derisa personi i infektuar me këtë virus mund të jetë infektues një ditë para se të sëmuret dhe pesë ditë pas sëmundjes.
Popullata më e prekur janë të gjitha moshat, por më të goditur janë fëmijët e vegjël nën 5 vite e sidomos fëmijët deri në 2 vite. Gjithashtu personat mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike. Me një fjalë personat me imunitet të zvogëluar janë më të prekur.
Demiri duke treguar simptomat e gripit sezonal tha se zakonisht përcillet me temperaturë të lartë, kollë, djersitje, ethe, dhembje e muskujve, dhembje fyti, dhembje koke, shkurje hundësh. Sëmundja zgjatë nga 6 deri në 7 ditë.
Por si të mbrohemi nga gripi. Xhevat Demiri thotë se vaksinimi me kohë dhe i rregullt, masat preventive dhe trajtimi me barëra antivirale, qëndrimi në shtëpi sidomos nga të tjerët, përdorimi i më shumë lëngjeve, mbulesa e gojës dhe e hundëve dhe në rast të ndonjë epidemie të madhe preferohet mbyllja e shkollave dhe çerdheve./rajonipress/