Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një punëtore sociale katolike me emrin Irena Sendler – diku Sendlerowa – shpëtoi 2,500 fëmijë hebrenj nga vdekja, transmeton Gazeta Metro. Për veprën e saj, ajo është nderuar pas luftës nga hebrenjtë për kontributin gjatë Holokaustit.
Më 1999, Sendlerowa u nominua për çmimin Nobel, por humbi nga amerikani Al Gore. Kur Gjermania pushtoi Poloninë më 1939, Sendlerowa ishte një prej atyre që punonte në kampe që ofronin ndihmë për të varfrit në Varshavë. Së shpejti, ajo filloi të jepte dokumente false për hebrenjtë që persekutoheshin nga gjermanët. Në ato dokumente ata paraqiteshin si katolikë dhe kështu mund të kalonin kufirin për të ikur nga Evropa
Edhe pse ndihma dhënë hebrenjve ishte e dënueshme me ligj nga gjermanët që prej vitit 1941, ajo nuk u ndal. Nga kampi ku punonte, ajo i bindte prindërit hebrenj që t’ua jepnin asaj fëmijët, të cilët i fuste nëpër qese plastike, thasë dhe çanta të ndryshme për t’i nxjerrë jashtë nga kampi i getos që ruhej nga nazistët gjatë 24 orëve.
Fëmijëve më të mëdhenj u jepte qetësues dhe u thoshte rojeve që ishin të vdekur, kurse emrat e të gjithë fëmijëve ajo i ruante në një listë speciale. Kur foshnjat brenda bodrumit të kampit qanin, Sendlerowa përdorte qenin e saj, i cili lehte sa herë t’i thuhej kështu në mënyrë që rojet të mos dëgjonin të qarat e fëmijëve hebrenj.
Sendlerowa u kap nga gjermanët dhe u torturua. Megjithatë, ajo arriti të ikte dhe për një kohë jetoi e fshehur. Pjesën tjetër të jetës e kaloi në Poloni, ku vdiq më 12 maj 2008 në Varshavë. Papa Gjon Pali i Dytë dhe liderët më të mëdhenj polakë kanë nderuar atë me çmimet më të larta kombëtare për kontributin dhënë hebrenjve.