Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë, Artan Grubi në kuadër të vizitës së tij në SHBA e vizitoi Pentagonin, ku u takua me përfaqësuesen e lartë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Laura Kuper,
zëvendëssekretare shtetërore e Mbrojtjes e SHBA-së.
Në takim, siç njoftojnë nga Komisioni për Çështje Evropiane, u konstatua bashkëpunimi i shkëlqyer i ndërsjellë në sferën e mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit. Kuper në takim ka theksuar se mbështetja e SHBA-së në sferën e mbrojtjes për Maqedoninë është e lartë dhe e vazhdueshme me ç’rast ka shprehur mbështetje për aspiratat euroatlantike dhe tentimet që t’i tejkalojmë të gjitha pengesat në këtë rrugë. Përfaqësuesja e lartë e Pentagonit, theksohet në kumtesë, ka potencuar se Maqedonia është
partnere e SHBA-së dhe se Uashingtoni i vlerëson tentimet dhe kontributin e saj ndaj aktiviteteve të Aleancës. “Në interes të SHBA-së është ta shohin Maqedoninë në NATO dhe për këtë qëllim e riafirmuan mbështetjen duke shtuar se vizita e saj e paradokohshme në Maqedoni ka kaluar në takime konstruktive”, ka theksuar Kuper.
Grubi ka folur për rolin vendimmarrës të SHBA-së në dy dekadat e fundit në Maqedoni dhe në rajon dhe theksoi se të gjitha sukseset tona janë rezultat i tentimeve të përbashkëta.
“Hapat e fundit drejt qëllimit duhet t’i bëjmë së bashku, me guxim dhe ta realizojmë qëllimin e përbashkët, Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Maqedonia vazhdon me rritëm intensiv t’i zbatojë reformat, ta finalizojë pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, dhe t’i zgjidh kontestet me fqinjët sipas shembullit të marrëveshjes me Bullgarinë. Prandaj, tani është koha për NATO dhe të gjitha tentimet dhe energjia jonë janë koncentruar në realizimin e projektit që do të na sigurojë paqe, stabilitet, siguri dhe është parakusht për zhvillimin ekonomik”, ka potencuar Grubi. Bashkëbiseduesit, gjithashtu, biseduan edhe rreth luftëtarëve në konfliktet e huaja, terrorizmin dhe ekstremizmin.