Gruevski tenton t’i konsideroj shqiptarët punëtorë sezonal në tokën e tyre

Portali i përfërt me Bashkimin Evropian, Euroactiv, e ka intervistuar ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Ndër pyetjet e shtruara janë edhe ato për situatën politike në Maqedoni.

Në çështjen e Deklaratës politike shqiptare, Euroactiv i thotë ministrit Bushati se Deklarata shihet nga OBRM-PDUKM-ja si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit fqinj.

Bushati e nisë përgjigjen e tij me faktin se Shqipëria është vendi i parë që e njohu Maqedoninë dhe se Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk e ka kontestuar integritetin territorial të Maqedonisë, e as identitetin apo gjuhën.

Ai thekson se një e treta e popullsisë së Maqedonisë është shqiptare dhe me orientim proeuropian dhe proatlantik, duke shtuar se do të jetë e vështirë të gjendet një fqinj më miqësor për Maqedoninë, se sa që është Shqipëria.

Për ministrin Bushati, Gruevski ka tendencë që krizën politike ta shndërrojë në krizë ndëretnike, duke mohuar të ketë platformë Tirane, por sqaron se ka një dokument që është shkruar nga tre parti politike shqipare në përbërjen e tanishme të parlamentit të Maqedonisë.

Shefi i diplomacisë shqiptare sqaron se në Deklaratë, Shqipëria sheh një përpjekje të qartë të shqiptarëve për të mbajtur Maqedoninë të bashkuar, pastaj për patur një harmoni ndëretnike në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinos, për të ç’bllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-së dhe BE-së përmes normalizimit të marrëdhëneve me Greqinë, Bullgarinë dhe kuptohet me Shqipërinë dhe Kosovën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

I pyetur për pikën e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, që sipas Euroactiv, Maqedonia nuk është shtet federal, Bushati përgjigjet se nuk e ka idenë se si ky argument i zyrtarizimit të gjuhës shqipe është i barazvlershëm me federalizimin e vendit. Ai i qaset përsëri Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar se zbatimi i obligimeve të saj ka shkuar mjaft ngadalë.

Ministri Bushati më tej përgjigjet se ka një tentim nga ana e Gruevskit dhe të tjerëve që shqiptarët t’i konsiderojnë si punëtorë sezonal në tokën e tyre dhe se nuk ka orvatje serioze për të siguruar harmoni ndëretnike në Maqedoni. Ai konsideron se shoqëria në Maqedoni është ndër në vija etnike në pesë apo gjashtë vitet e fundit.

Bushati beson se me përfshirjen e Deklaratës politike shqiptare në Kushtetutë dhe në legjislativin e ri të vendit, do të ketë rezultate pozitive për të dy grupet etnike, shqiptarët dhe maqedonasit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Euroactiv kërkon sqarime shtesë në lidhje me atë që thotë Bushati, se shqiptarët konsiderohen si punëtor sezonal në tokën e tyre. Për këtë, Bushati i qaset çështjes së vendeve të punës duke lënë anash mjedisin e harmonisë më të mirë ndëretnike dhe harmonisë në zhvillimin ekonomik. Ai vlerëson se po të udhëtohet në Maqedoni, qartë mund të shihet dallimi që ekziston ndërmjet komuniteteve për mënyrën se si bëhen investimet, si shpërndahen burimet dhe të mirat, se si grupet etnike përfaqësohen në jetën publike, diçka që sipas tij duhet të rregullohet.

I sfiduar që kjo që thotë Bushati duket si paternalizëm, ministri shqiptar kundërpërgjigjet duke thënë se nëse ftohen njerëzit në rrugë për të brohoritur kundër shqiptarëve, SHBA-ve, BE-së e NATO-së, për të brohoritur kundër identitetit të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, atëherë arrihet në të njëjtin përfundim të tij të shprehur më lartë. Intervistën e plotë e gjeni në këtë vegëz.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme