Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se të arrestuarit e së premtes në mbrëmje, nën dyshimin për terrorizëm, po përgatisnin sulme në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.
Shtatë të akuzuarit nga Mitrovica, Ferizaj, Skenderaj dhe Prishtina, do të qëndrojnë për një muaj në paraburgim, kështu ka vendosur mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ata akuzohen se janë të lidhur me organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë, i takojnë një rrejti të gjerë terrorist në Ballkan, ku përveç Kosovës, përfshihen edhe të dyshuar tjerë nga Maqedonia dhe Shqipëria.
Lajmi.net ka siguruar pretendimet e Prokurorisë ku thuhet se institucioni i akuzës kosovare ka kërkuar masën e paraburgimit për shtatë të akuzuarit duke marrë parasysh kontaktet e tyre jashtë vendit që i kanë pasur dhe po ashtu konsideron se është i bazuar dyshimi se në këtë rrjet terrorist gjenden edhe shumë anëtar tjerë të organizatës së njëjtë të cilët gjenden në liri dhe gjatë hetimeve është e nevojshme të merren deklaratat e shumë dëshmitarëve, ashtu që po të gjenden të pandehurit në liri do të përpiqen të ndikojnë në dëshmitarë apo në të pandehur të tjerë.
Tutje, sipas Prokurorisë, në bazë të masave të fshehta të cilat janë lëshuar nga kjo gjykatë, ka rezultuar se të gjithë të pandehurit kanë mundur të kenë kontakte me persona tjerë që kanë vepruar e që veprojnë në territorin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe po ashtu të njëjtit dyshohen se i takojnë organizatave ISIS dhe Al Nusra.
Të akuzuar janë: Bujar Brahimi, Visar Ibishi, Liridon Morina, Burim Istrefi, Leotrim Musliu, Kenan Plakaj dhe Leotrim Vojvoda. /lajmi.net