Hahn: Shtetet e Ballkanit duhet të bëjnë shumë për t’u anëtarësuar në BE

BE ripërtërin në samitin e Ballkanit në Sofie premtime të vjetra: anëtarësim po të bëhen detyrat. Se kur do të ndodhë kjo, këtë Komisari i zgjerimit të BE, Johannes Hahn nuk mundi ta thotë në intervistë me DW.

Deutsche Welle: Zoti Komisar, BE u ofron gjashtë shteteve ballkanike në “Deklaratën e Sofjes” një perspektivë evropiane, por jo anëtarësim. A mjafton kjo?

Johannes Hahn: Këtu në Sofje ne përqendrohemi te “konektiviteti”, pra në ato fusha, ku mund të zgjerojmë lidhjet në infrastrukturë, në sektorin e energjisë dhe në ofertat digjitale me njëri-tjetrin.

Kjo ndikon edhe në një lidhje më të ngushtë me Bashkimin Evropian. Me këtë perspektivë evropiane ne ofrojmë investime shumë konkrete në infrastrukturë.

A nuk shkoni me këtë një hap më pas premtimeve tuaja, që i dhatë 15 vjet më parë në Selanik, pikërisht për zgjerimin?

Jo, ne kemi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, të cilën e kemi publikuar në shkurt. Ajo tregon qartë një perspektivë evropiane për të gjitha këto shtete. Por ende duhet bërë shumë. Ne jemi në shkëmbim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me shtetet. Disa kanë ecur më shpejt se të tjera, të gjithë kanë bërë përparime. Një aspekt shumë i rëndësishëm është që këto shtete të përgatiten për një anëtarësim të ardhshëm në BE edhe në infrastrukturë. Ne po punojmë për një zonë rajonale të tregtisë së lirë, që do t’u mundësojë shteteve që të kenë marrëdhënie më të mira tregtare me njëra-tjetrën.

Synimi është që të rritet rendimenti ekonomik i të gjithë kandidatëve, që ata të bëhen më solidë dhe rezistencë dhe më të aftë për konkurencë në Evropë.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë edhe një sërë konfliktesh për të zgjidhur me njëri-tjetrin. Le të marrim si shembull grindjes midis Serbisë dhe Kosovës për njohjen e Kosovës si shtet. Si mund të ndihmojë BE që t’i zgjidhë këto konflikte?

Besoj se horizonti i një perspektive evropiane shkakton në rajon një lëvizje shumë të fortë në çështjet politike në rajon. Ne sapo kemi parë që ishte e mundur të zgjidhet një konflikt kufitar pas dy vjetësh e gjysmë midis Kosovës dhe Malit të Zi. Duket se do të kemi së shpejti një zgjidhje në grindjen për emrin e shtetit midis ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) dhe anëtares së BE, Greqi. Dinamika e ka shtyrë përpara edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ne kemi thënë gjithmonë qartë dhe këtë e dinë të gjithë: nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri, pa u zgjidhur më parë të gjitha konfliktet bilaterale. Kjo ka bërë tashmë efekt.

Komisioni Evropian ka përmendur vitin 2025 si datë të mundshme anëtarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi, po të ecin të gjitha sipas planit. Shtetet anëtare nuk e përmendin këtu në Sofje këtë datë. Pse jo?

Kjo ka qenë një lloj “date orientuese”. Vendimet do të merren vetëm në takimin tonë të radhës të Bashkimit Evropian në fund të qershorit. Këtu bëhet fjalë vërtet për një datë të përkohshme, e cila duhet të tregojë seriozitetin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit. Ne ndihemi të lidhur me detyrimet tona, por tani varet nga shtetet e Ballkanit që të arrijnë përparime.

Johannes Hahn është Komisar i Zgjerimit të BE dhe zhvillon negociatat e anëtarësimit me shtetet kandidate.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme