Komisioneri për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn, po shpreson që Kosova dhe Serbia do t’i mbyllin të gjitha mosmarrëveshjet deri vitin e ardhshëm.
Kështu të paktën ka deklaruar ai në një intervistë për N1, duke theksuar që pret nga dy shtetet të arrijnë marrëveshjen e shumëpritur përfundimtare.
“Ne qëllimisht nuk e propozuam ndonjë datë. Bisedimet nuk janë të lehta dhe palëve u duhet t”u jepet mundësia për ta gjetur një zgjidhje të qëndrueshme ligjore. Ashtu si i gjithë procesi, cilësia dhe shpejtësia janë të rëndësishme”, tha Hahn.
Sipas komisionerit Hahn, dialogu është në të mirën e dy shteteve, sidomos në rrugën drejt BE-së.
“Në të kaluarën dëgjonim në Kosovë: Pse të flasim, kjo i shërben vetëm Serbisë. Por është në interes të Kosovës që të arrihet normalizimi me Serbinë”, thotë me tutje ai.
Hahn komentoi edhe strategjinë e zgjerimit të BE-së të cilën e cilësoi si shumë pozitive për Ballkanin.
Komisioneri Hahn deklaroi se të gjitha shtetet që synojnë integrimin, duhet plotësuar kushtet e vendosura nga BE-ja.