Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka shpallur angazhimin e tij për të rritur pagat e mësuesve me 50%, duke theksuar se nuk ka titull më të lartë se ai i mësuesit, arsimtarit ose profesorit.
Në një takim të fundit me mësuesit, Hamza theksoi se arsimi është një prioritet kryesor për qeverisjen e tij. “Ne do të investojmë në arsim. Ky investim përfshin përmirësimin e infrastrukturës shkollore, pajisjen e shkollave me laboratore moderne dhe ndryshimin e kurrikulave për t’iu përgjigjur kërkesave të ekonomisë fleksibël”, tha ai.
Hamza theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të mundësive për nxënës dhe studentë. “Çdo nxënësi dhe studenti do t’ia ofrojmë dijen, shkathtësitë dhe mundësitë që u nevojiten për të arritur potencialin e plotë në vendin tonë”, shtoi ai.
.Ai u angazhua për të hapur drejtime të reja, për të inkurajuar mësimin dual dhe për të lidhur arsimin me punën praktike, me qëllim që të prodhohen kuadro të kualifikuar për tregun e punës.