Haradinaj :AAK-NISMA-AKR koalicioni fitues

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për “Ekonomia Online”, thotë se 2016-ta ishte një vit i ngecjes për Kosovën, madje edhe i përkeqësimit të gjendjes në vend, në rend dhe ligj, në ekonomi, shëndetësi, arsim…

Sipas Haradinajt, Kosova aktualisht i ngjan një shteti gjysmë-privat e gjysmë-ligjor. Pasi përmend dështimet në energji, Trepçë, Brezovicë, Postë, Haradinaj thotë se krijohet bindja se “është njëfarë plani i fshehtë, mos me e lanë Kosovën me i qitë hapa përpara”.

Prandaj, ai mendon se 2017-ta duhet të jetë vit i zgjedhjeve.

Dhe për këtë, Aleanca po përgatitet seriozisht. Koalicioni me Nismën tashmë është i sigurt, ndërkohë që Haradinaj tregon se synon që në koalicion të përfshijë dhe AKR-në e Behgjet Pacollit, dhe disa parti më të vogla.

“Kemi biseduar me AKR-në dhe i kemi propozuar një marrëdhënie trepalëshe. Jemi në pritje të përgjigjes nga AKR-ja, nuk e dimë si do të jetë kjo përgjigje por nëse edhe AKR-ja bashkohet ky blloku ynë opozitar, boshti ynë AAK-Nisma-AKR mund të jetë pretendente me i fitu zgjedhjet. Ne edhe sot jemi pretendentë, kemi 20% të votës AAK-Nisma, 15% i ka Aleanca vetë. Me këtë besojmë se mund t’i fitojmë zgjedhjet nëse na bashkohet edhe AKR-ja”, thotë Haradinaj, me mjaft bindje.

Ndërkohë, ai “nuk mendon” të bashkëpunojë me partitë që tani janë pushtet. “Nuk mendojmë me punu me LDK-në e PDK-në, për shkak se mendojmë se janë meritore të gjendjes së krijuar. Kemi mendim ndryshe për Lëvizjen për Bashkim, nuk e shohim aq kontribuuese të keqe të këtyre proceseve, po me PDK-në e LDK-në s’kemi ide për koalicion”.

Në këtë intervistë për fundvit, kreu i Aleancës flet dhe për iniciativën e kryeparlamentarit Kadri Veseli, njëherë kryetar i PDK-së, për një tryezë të partive ku do të arrihej një pajtim rreth “temave të mëdha”, siç janë demarkacioni e Asociacioni i Komunave Serbe.

Ai porosit Veselin se tani është vonë për “sanimin e dëmeve”. “Logjika ka qenë shumë e gabuar, këta e kanë nënshkruar marrëveshjen e gabuar pa konsulta paraprake me partitë politike. Tani i bie që po na thërrasin për sqarimin e pasojave që kanë ndodhur. Konsultat e spektrit politik duhet të fillojnë para marrëveshjeve, para bisedimeve me Serbinë a ndonjë shtet fqinj duhet të bisedohet me partitë politike të Kosovës. Pra, qeveria jonë para se me bisedu me partitë politike ka biseduar me Serbinë. E ka mbajtur të fshehtë prej opozitës atë që e ka ditur Serbia. Edhe kanë nënshkruar marrëveshje të gabuara. Pra, është vonë z.Veseli me këtë taktikë sepse dëmet kanë ndodhur dhe sanimi i dëmeve bëhet nga ata që i kanë krijuar, në këtë rast duke i korrigju marrëveshjet ndërsa në të ardhmen është mirë që mos të na sjellin në pozita të njëjta më. Ne mendojmë se është koha që vendi të shkojë në zgjedhje vendi dhe jo ky konstalacion politik që po i krijon këto gabime të na prijë më tutje”.

Haradinaj nuk e pranon se opozita ka faj pse kosovarët nuk e morën liberalizmin e vizave. “Kushtet bazë për liberalizimin janë luftimi i krimit e korrupsionit dhe reformat në administratë. Vetë qeveria jonë e ka propozuar demarkacionin si kusht”, thotë ai.

Haradinaj kritikon dhe presidentin Hashim Thaçi se nuk po e ushtron rolin e tij të përfaqësimit në politikën e jashtme. Mes arsyeve, ai përmend “ngjarjet që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, duke aluduar qartë në fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

 

Z. Haradinaj, si do ta vlerësonit vitin që po e lëmë pas, për Kosovën, në ekonomi, politikë…

Mendoj se është një vit i ngecjes për Kosovën, një ngecje në situata të caktuara dhe përkeqësim i gjendjes në vend, përkeqësim në rend dhe ligj, në ekonomi, mungesë e investimeve… Nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim serioz as në aktivizim të resurseve. Është një vit i vështirë edhe në sferat e tjera të jetës; shëndetësinë e dimë që s’e kemi mirë, por u pa edhe në arsim sa keq qëndrojmë. Pra, është një vit i ngecjes.

Tema kryesore e këtij viti, për të cilën AAK-ja, por edhe partitë e tjera opozitare, kanë qenë të zëshme në kundërshtimin e saj është demarkacioni me Malin e Zi. Ratifikimi, së paku tani për tani, është stopuar. Por, çka duhet bërë në vazhdim? A duhet bërë marrëveshje e re me Malin e Zi, apo si e sheh AAK-ja zgjidhjen e këtij problemi. Kryeministri, kryetari i Kuvendit po e akuzojnë opozitën si fajtore që kosovarëve nuk iu hoqën vizat as sivjet? Kush është fajtori që Kosova vazhdon të mbetet e izoluar?

Këta, qeveria flet për liberalizim e viza qe sa vite. Kushtet bazë për liberalizimin janë luftimi i krimit e korrupsionit dhe reformat në administratë. Vetë qeveria jonë e ka propozuar demarkacionin si kusht. Pra, Prishtina e ka futur në paketë demarkacionin në vend se ta korrigjonte gabimin, se marrëveshja është e gabuar, e zvarrisin procesin dhe vazhdojnë me këtë logjikë që është gabim. Rasti i Ligjit për Trepçën, u kundërshtua ligji, versioni i gabuar, u soll ai i drejtë dhe u votu. E kundërshtuam versionin e gabuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe; për fat gjykata i gjeti gabim të gjitha nenet e veta marrëveshjen, dhe tani kemi një situatë të re – korrigjimi i marrëveshjes për shënim të kufirit me Malin e Zi. Duke e vënë kufirin ku është e ku ka qenë, Çakorri dhe Kulla, mund ta ratifikojmë. Por insistimi në marrëveshje të gabuar dhe tendenca me e trafiku këtë marrëveshje të gabuar do të dështojë. Kurrë nuk do të kalojë.

Për këto tema të rëndësishme, kryetari i Kuvendit në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se do të thërrasë një tryezë me partitë politike në janar për të diskutuar demarkacionin dhe çështje të tjera të rëndësishme, siç është Asociacioni? A do t’i përgjigjeni kësaj ftese? A i shihni të dobishme tryeza të këtilla apo janë shteruar?

Logjika ka qenë shumë e gabuar, këta e kanë nënshkruar marrëveshjen e gabuar pa konsulta paraprake me partitë politike. Tani i bie që po na thërrasin për sqarimin e pasojave që kanë ndodhur. Konsultat e spektrit politik duhet të fillojnë para marrëveshjeve, para bisedimeve me Serbinë a ndonjë shtet fqinj duhet të bisedohet me partitë politike të Kosovës. Pra, qeveria jonë para se me bisedu me partitë politike ka biseduar me Serbinë. E ka mbajtur të fshehtë prej opozitës atë që e ka ditur Serbia. Edhe kanë nënshkruar marrëveshje të gabuara. Pra, është vonë z.Veseli me këtë taktikë sepse dëmet kanë ndodhur dhe sanimi i dëmeve bëhet nga ata që i kanë krijuar, në këtë rast duke i korrigju marrëveshjet ndërsa në të ardhmen është mirë që mos të na sjellin në pozita të njëjta më. Ne mendojmë se është koha që vendi të shkojë në zgjedhje vendi dhe jo ky konstalacion politik që po i krijon këto gabime të na prijë më tutje. Rasti i Murit në Mitrovicë, domethënë parlamenti nuk ka qenë i informuar për ndonjë marrëveshje të çdo natyre. Pse diçka që e ka ditur Gjuriqi mos me e ditë edhe deputetët e Kosovës. Delegacioni i Kosovës në Bruksel, Edita (Tahiri) ose dikush, pse mos me e lëshu në parlament në një ekran marrëveshjen, detajet. Ato që po i dinë Serbia e jo deputeti i Kosovës. Domethënë janë disa procedura vërtet të gabueshme. Nuk e di se çka duhet me i shpjegu dikush dikujt që me e kuptu që janë gabim, është një logjikë që duhet me u ndalë.

Pra, sipas jush ndërtimi i Murit ka qenë i paraparë me marrëveshje

Po nuk e di a ka qenë, se ka shumë versione, po sikur t’i kishin tregu parlamentit se çka janë ra dakord, parlamenti e kish ditë se a është faji te delegacioni i Kosovës, te strukturat paralele apo ku? Po del që tash pas ndërtimit të tij ka ekzistu diku një marrëveshje dhe ka pasë muri në atë marrëveshje po s’po dihet se në çfarë lartësie, për këtë Parlamenti ynë s’ka qenë i informuar. Kjo nuk është në rregull, është kulmi, këta nuk po respektojnë asgjë të demokracisë,. Diçka që e din armiku yt, se Serbinë e kemi ende shtet kundërshtar, mos me e ditë deputetët e tu, në fakt se kanë ditur as ata të PDK-së e LDK-së. Delegacioni i Kosovës, i koalicionit, ka bërë atje marrëveshje ndërsa grupet parlamentare PDK-LDK po del që se kanë ditë. Më së miri kish qenë ata me i thanë qeverisë mos me sjellë më këso budallakish, mos bëni më veprime të gabuara se na lodhët. Na lodhën me ligj për Trepçën të gabuar, me marrëveshje për Zajednicën, gjykata e gjuajti poshtë, na lodhën me marrëveshje të gabuara për demarkacion, na lodhën me një budallaki për park në Mitrovicë të Veriut, tash s’po dimë a janë shkallët a muri. Unë e kam pa vetë edhe ato shkallë nuk ke qare pa i lanë se nuk mundesh me kalu në pjesën tjetër, po shihe çka na bënë. Duhet me u ndalë kjo taktikë.

Në fund të vitit, “çështje” u bë dhe një mur i ndërtuar disi heshtas në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë. Me iniciativën e partisë suaj, në Kuvend u miratua një rezoluta që mes tjerash e obligon Qeverinë ta rrënojë këtë mur ilegal deri në fund të janarit? Dihet se Qeveria shpesh nuk i respekton rezolutat e Kuvendit. Cili është qëndrimi juaj, a duhet inspeksioni i MMPH-së të shkojë ta rrënojë murin, apo duhet gjetur një formë që të mos nxiten tensione?

Ligji duhet të zbatohet. Nëse rezoluta është obligative për çdo instancë qeverisëse të të gjitha niveleve, duhet të hiqet muri. Por, këtë gjë kishim mujt me e bisedu para rezolutës se në momentin që ajo është duhet edhe të zbatohet.

Unë po pyes për formën, a duhet të shkohet me pompozitet…?

Si e parasheh ligji, s’ke hapësirë për lukse, tanimë veç me masë ligjore shkon. Se është një akt ligjor i institucionit më të lartë, Parlamentit. Unë mendoj që është krejt normale që të gjitha grupet e partive janë dakord. Për ata thashë që janë qitë në pritë deputetët nga ekipi ynë negociator e jona. është shumë e pakuptimtë mos me u informu edhe deputetët e pushtetit.

Duket që serbët e kanë shfrytëzuar marrëveshjen për ndërtimin e parkut…

Po, por cila është ajo marrëveshje? Kur e ka ditë Kosova që ka një marrëveshje derisa e ka pa murin. Pse mos me u informu deputetët për këtë marrëveshje me kohë. Pse mos me e diskutu demarkacionin para nënshkrimit? Pse mos me u diskutu Zajednica? Nuk mundesh me i mbajt fshehtë parlamentit tënd. Diçka që e din Serbia e Brukseli s’po bëjka me e ditë parlamenti yt. është shumë e dëmshme kjo çështje, nëse kjo nuk kuptohet atëherë po bëjmë presedane të këqija. Delegacioni i Kosovës thotë se këto nuk janë publike. O ti zotëri ti je i punësuar prej parlamentit, ty të ka qu parlamenti atje, edhe ministrin, kryeministrin e të gjithë. E ti duhet me tregu çka je marrë vesh nëse je marrë vesh, e sheh parlamenti e kur ndodh muri e din a ka qenë pjesë a jo. Është shumë e pasjellshme me e sjellë Kosovën në kësi gjendje, është e dhimbshme.

Rreth Asociacionit të Komunave Serbe, Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar se do ta formojnë vetë nëse nuk ka hapa nga Qeveria e Kosovës. Por, formimi i Asociacionit përkrahet edhe nga SHBA dhe ambasadat e tjera në Kosovë? Si duhet t’i qaset Qeveria kësaj çështjeje. Ta anulojë krejt një marrëveshje, për të cilën megjithatë ka marrë përgjegjësi në Bruksel, apo ka vend që të rishikohet, të qartësohen disa kompetenca të AKS-së? Po dialogu me Beogradin a duhet të vazhdojë?

Kosova ka paraparë mundësinë e asociacioneve të komunave, e ka edhe në bazën e saj kushtetuese. Nuk është diçka që s’e mendon Kosova mirëpo kërkesa e Serbisë është për me i mbajt duart në Prishtinë, Kosovë. E Kosova nuk e ka paraparë këtë në kushtetutën e saj, për këtë Gjykata e ka hedh poshtë këtë marrëveshje dhe Kosova nuk lejon që Serbia me i pasë duart në Prishtinë e në Kosovë. Pra, Kosova nuk është kundër Asociacionit të Komunave, se në të ardhmen mund të ketë edhe të tjera asociacione, p.sh të komunave ndër-regjionale, komunave të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë ose Shqipërisë, Maqedonisë ose Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi. Pra, ka shumë opsione që i ka paraparë Kosova. Por nuk parasheh Republika Srbska në Kosovë dhe nuk do të ndodhë. Kur e merr vesh edhe Beogradi edhe serbët në Kosovë se kjo s’ka me u leju, e kur e marrin vesh këta qyqanat tonë që ky popull nuk e lejon atë, atëherë jemi në rregull, gjendet një zgjidhje. Po nëse provohet të trafikohet versioni i marrëveshjes që e ka hedhë poshtë Gjykata, kurrë s’do të ketë sukses.

Para pak ditësh, mbajtën një tubim të madh në Prishtinë, ku prezantuat dhe një platformë qeverisëse, duke paralajmëruar që në Kosovë do të ketë ndryshim të skenës politike. Çfarë përmban shkurtimisht kjo platformë? A është një tubim i këtillë njëfarë mobilizimi i elektoratit tuaj. Kur mund të presim zgjedhje të përgjithshme?

Ne në vazhdimësi e reflektojmë gjendjen në vend edhe japim përgjigje rreth temave përmes konferencave për shtyp, tryezave, seminareve, artikujve, në parlament. Mirëpo punën disamujore të këtij reflektimi e kemi paraqitur në një tubim, që ka qenë shumë i respektueshëm, ka pasur prezencë të madhe, kemi pasur mundësinë edhe përmes medieve. Këto porositë, platformën për të dalë nga gjendja me i dërgu te qytetarët e Kosovës kudo që janë. Ne gjendjen në rend dhe ligj nuk e shohim të mirë, por mendojmë se po të besojmë përgjegjësitë, sepse ka njerëz, prokurorë të mirë e të zotë, që vendosin me i kry punët e veta në bazë të ligjit, qysh ka policë e hetues. Por atyre po u pamundësohet nga ndërhyrjet partiake e politike me e kry detyrën. Pra, detyra jonë është me e qu punën te ata që duan me zbatu rendin dhe ligjin, e ata që bien ndesh me ligjin, ligji merret me ata. Por, nuk guxojmë me shku tërë jetën kështu, një shtet gjysmë-privat e gjysmë-ligjor, se është rrezik.
Në ekonomi, një gjendje e rëndë ekonomike me mungesë plani zhvillimor, me mungesë investimesh. Kemi investime më pak se në të kaluarën, diaspora jonë që njerëzit e këtij vendi s’po mbërrijnë me investu. Kosova duhet të jetë më e hapur për biznes më shumë se vendet e rajonit, edhe duhet të hiqen pengesat korruptive. Hala pa fillu punë ja kërkojnë hisen, ata që janë në sportele, vendimmarrje. Ne jemi bindë që qëllimisht dikush po i dështon resurset e Kosovës, dikush që janë pushtetarët e sotëm e të djeshëm. Pse? Dështuan investimet në energji që sa vjet, kanë qenë të gatshëm me investu në energji në atë kohë, i ndryshuan, i modifikuan. Në vend që ne të prodhojmë energji me teknologji të 2015-së ne prodhojmë energji që është 40 vjet e vjetër, për këtë është ndotja kaq e madhe dhe kostoja me e prodhu është e shtrenjtë. Dështimi i Trepçës, i Brezovicës, i Postës, na japin bindjen se diku është njëfarë plani i fshehtë, mos me e lanë Kosovën me i qitë hapat përpara. Nëse e shohim përkrahjen e bujqve, që është shumë e vogël, subvencionet në të cilat ka keqpërdorime; bizneset e vogla e të mesme i kanë lënë në harresë, s’është drejtu askush nga ata. Këto janë disa veprime që duhet me i ndërmarrë menjëherë, me mbërri te këta aktorë ekonomikë. Në vend që me e lëvizë vendin, se nuk lëviz vendi veç me ndonjë projekt të madh. Ne mund t’i aktivizojmë resurset e mëdha, që i përmenda që po dështohen, por prapë duhet me mbërri te bizneset e vogla, të mesme, te sipërmarrësit e vegjël e të mesëm, te fermerët. Pra, duhet me mbërri të ata që janë më afër punës në punë dhe me i përkrah në etapë të parë.
Për arsim, duhet me u ndalë ndikimi partiak se e shkatërruam arsimin. Krejt dora e partive e solli arsimin poshtë. Me e marrë një rezultat aq të dobët po i bjen që na për një vit do të prodhojmë budallë (në arsim). Nëse nuk është ndërmarrë diçka që na garanton që rezultati do të jetë tjetër i bie që po punojmë thatë. Një rezultat aq i dobët i bjen se po e mashtrojmë veten. Shihe shëndetësinë, qindra milionë para të fukarenjve të Kosovës shfrytëzohen për-rreth, deri edhe në Beograd. A s’jemi aq të zotë sa këto kërkesa që këta njerëz po i gjejnë qaty me ua mundësu edhe këtu. Nëse i kemi 200 milionë me harxhu, pse nuk po i shtimë qato 200 milionë në Kosovë e mos t’i torturojmë njerëzit tonë. Kur t’i sëmuret dikush dikujt është në panik, qysh me ja gjetë zgjidhjen, çka me bë, ku me i gjetë paratë, ku me i gjetë ilaçet, kë e njeh…

Koalicionin me Nismën, pothuajse e keni zyrtarizuar. A është e sigurt se do të shkoni në zgjedhje nacionale bashkë?

Në zgjedhje nacionale do të shkojmë bashkë. Kemi ide edhe për partneritet për komuna në të ardhmen, por sa i përket zgjedhjeve nacionale është definitive.

Ndërkohë që me partitë e tjera, me AKR-në keni filluar takime…

Kemi bisedu me Ballin Kombëtar Demokratik, një parti jo aq e madhe por me traditë, kemi bisedu me AKR-në dhe i kemi propozuar një marrëdhënie trepalëshe. Jemi në pritje të përgjigjes nga AKR-ja, nuk e dimë si do të jetë kjo përgjigje por nëse edhe AKR-ja bashkohet ky blloku ynë opozitar, boshti ynë AAK-NISMA-AKR mund të jetë pretendente me i fitu zgjedhjet, ne edhe sot jemi pretendentë, kemi 20% të votës AAK-NISMA, 15% i ka Aleanca vetë. Me këtë besojmë se mund t’i fitojmë zgjedhjet nëse na bashkohet edhe AKR-ja.

A keni “vija të kuqe” për partitë në pushtet?

Nuk mendojmë me punu me LDK-në e PDK-në, për shkak se mendojmë se janë meritore të gjendjes së krijuar. Kemi mendim ndryshe për Lëvizjen për Bashkim, nuk e shohim aq kontribuese të keqe të këtyre proceseve, po me PDK-në e LDK-në s’kemi ide për koalicion.

Keni pasur një test në Drenas, në raundin e parë doli mjaft i suksesshëm. Çfarë mësimesh keni nxjerrë?

Drenica është zonë martire, një zonë që është sfidu shumë, e vuajtur, që ka bë shumë për lirinë e vendit. Mundësia e qytetarëve me zgjedhë, është e drejtë e tyre, jo me mbetë me një zgjedhje, është ma mirë me pasë për me zgjedh. Unë mendoj se Drenasi e Drenica e kanë lazdru PDK-në, me një përkrahje blanko. PDK-ja nuk e ka marrë atë si diçka që duhet me e kthy me të njëjtin kujdes. Isa Xhemajli dëshmoi që ishte një kandidat i pjekur, oferta qeverisëse e opozitës në këtë rast në Drenas, po edhe e opozitës nacionale, AAK-Nisma, të cilës iu bashkua edhe AKR-ja e Drenori. Ishte një oferte serioze dhe u respektua prej qytetarëve. Ajo ofertë bëri që mos me u mbyllë zgjedhjet në raundin e parë, kuptohet ishte një mobilizim i madh i tërë aparatit të shtetit. Unë mendoj se do të ishte një kryetar më i mirë Isa Xhemajli për Drenas, dhe është një humbje që nuk e kanë kryetar Isa Xhemajlin.

Së fundi u bënë “çështje” dy ftesa që i keni marrë për të marrë pjesë në ngjarjet përcjellëse të inaugurimit të presidenti Trump dhe në Lutjet e Mëngjesit. Nga zyrtarë të pushtetit pat komente se këto ftesa nuk janë dhe aq të rëndësishme. Pse po mendoni që veç juve ju kanë ardhur këto dy ftesa?

Me thanë të drejtën, unë s’kam pasur ndonjë rol në proceset zgjedhore në Amerikë. Ne si parti e qendrës së djathtë mbrojmë parimet dhe bindjet që kemi. është ndoshta një vlerësim i punës sime, aleancës nga organizata, të cilat atje kanë peshë. Organizata “Voto djathtas”, që me ka thirrur, zëvendësi i dytë i kësaj organizate është anëtar i Komitetit PIC ( Presidential Inaugural Committee), dhe jam i ftuar në ceremonitë kyçe, që nga ajo kryesore e deri te ato përcjellëse

U habita me një debat që u hap në Kosovë, unë jam i ftuar si person, ky nuk është ofendim i shtetit.

A është njëfarë mesazhi për institucionet tona nëse nuk marrin ftesë?

Unë jam personalisht i ftuar, jo me e përfaqësu Kosovën. Ka pasur raste kur kanë shku edhe këta të tjerët. Për mu nuk janë befasi ftesat, jam i ftuar edhe te Lutjet e Mëngjesit, edhe aty Presidenti mban fjalën. Ftesa është e nënshkruar prej 200 anëtarëve, si republikanë ashtu dhe demokratë. Pra, të dyja janë ftesa që paraqesin një respekt, një seriozitet. I kam mirëpritur të dyja, i kam pranuar dhe do të marr pjesë.
Qe, sot një koleg i imi ka aplikuar për vizë online për mua. Më ka ra pak keq se janë ditët e pauzës kur po hyjmë në Vit të Ri po do të bëj përpjekje me i mbërri në të dyjat.
Unë kur shkoj në Amerikë nuk bëj politikë kundër partive të tjera dhe s’ka pse me i kapë paniku këta të tjerët. Bisedat që i kam bë kurrë s’jam anku për këta të mitë.
Shkoj atje me i kërku Washingtonit me e vazhdu përkrahjen për Kosovën, në planin e jashtëm se pa përkrahjen e tyre është vështirë me ecë, me marrë njohje, me u anëtarësu në organizata të caktuara, me ecë kah NATO. Në siguri pa përkrahjen e Amerikës, me u votu ushtria është mjaft zor; e me të pranu në procese të partneritetit për paqe të NATO-s. E unë shkoj me e lyp këtë, me ju thanë për ndihmë. Shkoj me lyp investime amerikane në Kosovë.
Ka kompani që e operojnë në krejt botën, hapin dhjetëra mijë vende pune përnjëherë. E kemi Bondsteelin ushtarak, pse mos me e pasë edhe një “Bondsteel ekonomik” diku, diku kah Klina, Istogu ose Deçani, ta zëmë. Të hapet një zonë industriale amerikane, ku janë dhjetë kompani të mëdha…
Sa herë që kam shku, me para të mia e me vështirësi se s’mi mbulon shteti këto vizita, në të cilat iu bëhem barrë komunitetit tonë, shqiptarëve atje, e shfrytëzoj me sjell diçka për Kosovën. Jam habitur me disa reagime të tyre. Është ofendim edhe për Amerikën, se nuk është mirë me thanë që kjo ftesë nuk është me rëndësi. Ata mendojnë që po me ofendojnë veç mu po s’duhet me harru që ka njerëz atje që preken nga këto fjalë.

Në kuadër të kësaj do të doja një vlerësim rreth rolit të Presidentit Thaçi, i cili dihet se ka edhe rolin e përfaqësimit në arenën ndërkombëtare si shtet, si po e luan këtë rol? Së fundi, ai pati një vizitë në Turqi, ndërsa nuk po ka ftesa të tjera të nivelit të lartë.

Është pritur që do të ketë vështirësi, pengesa për Presidentin. Arsyeja vjen edhe prej mënyrës së sjelljes, ndarjes, ai nuk e bashkoi, nuk mbërrijti një unitet në vend. Ishte figurë që ndau vendin. Pastaj janë edhe arsyet tjera që i dimë të gjithë, që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve.

A mund ta qartësosh? Po flisni për Gjykatën Speciale?

Nuk kisha hyrë në detaje, ka plot rrethana që e bëjnë të vështirë. Një problem për institucionet e Kosovës, për kredibilitetin e presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit është dhe Raporti i Progresit, i cili e vlerëson aq dobët gjendjen në rend dhe ligj, korrupsion të rritur, korrupsion që është kthyer në fenomen, në mungesë të shumë aspekteve të tjera që nuk janë respektuar.
Zakonisht kur je kaq i dobët me punë të tua, nuk të respektojnë jashtë, ai që je të reflektojnë. Pra, është bukur zor me depërtu si president.

E vizitën në Turqi si e vlerësoni?

Nuk e di edhe mirë arsyen e vizitës a çka është në pyetje, i është bërë si rutinë me shku atje, nuk e di qëllimin e kësaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme