Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, aktualisht po mbahet nën masën e lirimit me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet francez, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar, në aeroportin e Bazelit. Drejtësia serbe po kërkon ekstradimin e tij në Serbi. Por, Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, beson se fletë-arresti ndaj tij është i motivuar politikisht nga autoritetet serbe dhe pret që këët javë t’i jap fund gjykimit në Francë dhe të kthehet në Kosovë.
Zoti Haradinaj, në ç’fazë janë procedurat gjyqësore në procesin që po zhvillohet ndaj jush?
Kemi qenë në pritje të lëndës nga Serbia. Gjykata më kë bërë ftesë që nesër (të mërkurën) të paraqitem në gjykatë, në Calmar, ku është dorëzuar aktakuza nga Serbia. Pra, këtu janë procedurat.
Ne pastaj do të kërkojmë menjëherë një seancë për ballafaqim me këtë lëndë, do të thotë ta hedhim poshtë këtë aktakuzë dhe këtë kërkesë të tyre për ekstradim e cila është krejtësisht politike. Pra, diku nga mesi i javës pritet të përmbyllen këtu procedurat gjyqësore.
Sa është shqetësuese për ju kërkesa e Serbisë për ekstradim?
Është pak a shumë e habitshme për mua kthimi në logjikat e mëhershme të viteve të luftës nga zyrtarët në Beograd. Kjo është një lojë politike e tyre. Ata janë në prag të zgjedhjeve. Po e shoh një garë mes udhëheqësve në Beograd, të presidentit, kryeministrit, të ministrit të jashtëm, të koordinatorit Gjuriq rreth kësaj teme.
Por, duke e ditur faktin që populli i Kosovës ishte viktimë në luftën e fundit nga regjimi i Milosheviqit dhe duke e pasur parasysh edhe rolin e disa prej këtyre udhëheqësve në atë regjim, siç është Daçiqi që ishte vartës i Millosheviqit, pastaj të Nikoliqit e Vçiqit të cilët u kanë prirë formacioneve paramilitare të asaj kohe, është e habitshme që i bëhet kaq shumë, ta quaj, respekt ligjor një aktakuze që është e thatë, është politike dhe që vjen prej atyre që vërtetë kanë kryer krime.
Kur thoni nga mesi i kësaj jave, prisni që të përmbyllen të gjitha procedurat dhe të merret vendimi nga ana e Gjykatës?
Po, do të thotë Serbia ka luajtur me kohë dhe e ka vonuar materien me qëllim të zvarritjes së procesit. Por, tani është në gjykatë dhe besoj që tani do të shfrytëzohen afatet kohore që të mbyllet procesi.
Për lëndën që bëhet fjalë, është e vitit 2004 të cilën e kanë sajuar mbetjet e Millosheviqit në sistemin e drejtësisë në Beograd, ajo lëndë dhe çdo gjë tjetër si imnformatë dhe si materie ka ekzistuar edhe në Tribunalin e Hagës, por prokuroria nuk e kishte vlerësuar si relevante dhen uk e ka përfillu dhe siç dihet, procesi ishte përmbyllë me shpalljen e pafajësisë sime.
Njëkohësisht edhe spekulimet për gjoja pengim të dëshmitarëve i ka hedhur poshtë prokurori i atëhershëm Bramers në Beograd, ku ishte konstatuar se në procesin Haradinaj, në rastin e rigjykimit, nuk ka pasur asnjë pengesë për asnjë dëshmitarë dhe të gjithë dëshmitarët në listë kanë dëshmuar në bazë të procedurave ligjore.
Pra, kjo është një logjikë e kohërave të luftës e cila është kthyer në Beograd dhe ndërlidhet me zgjedhjet e atjeshme. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që kësaj logjike duhet t’i detyrohet i gjithë Ballkani dhe ne shqiptarët. Ne jemi të interesuar, unë jam i interesuar për paqe në Ballkan.
Jemi të interesuar për paqe dhe integrim të Ballkanit në BE dhe në NATO. Këto logjika të Beogradit janë të papranueshme dhe unë, si shqiptarë asnjëherë nuk do t’u nënshtrohem.
31 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) / REL