Haradinaj: Demarkacioni duhet rrëzuar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vazhdon të vlerësojë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi është i dëmshëm për vendin dhe se në bazë të kësaj marrëveshje vendi humbet territor.

Deputeti i kësaj partie, Daut Haradinaj, thotë se kjo parti është e vendosur qe kjo marrëveshje të hidhet poshtë.

Në një prononcim për Indeksonline, ai nuk ka dashur të komentoj ftesën e kryeministrit Mustafa për takim mes liderëve.

“Për besë me sa e di unë nuk ka as një lloj ftesë zyrtare. Prandaj nuk dua ta komentoj pa e parë ftesën. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shumë e vendosur se kjo marrëveshje është në dëm të Kosovës dhe si e tillë duhet hedhur poshtë”, ka thënë Haradinaj.

Ditë më parë në një prononcim për Indeksonline, këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, ka deklaruar se me tu kthyer kryeministri Mustafa nga New Yorku do të zhvillojë disa takime ku parashihen edhe takimet me liderët e partive opozitare.