Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sot gjatë një takimi nga kryetarët e komunave që t’i dorëzojnë projektet e rëndësishme për investime kapitale, në mënyrë që Qeveria të aplikojë në EBRD për kredi që mundësojnë zhvillimin e komunës.
Në këtë takim nuk ishin të pranishëm kryetarët e komunave, të cilat udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne e kemi një samit të vendeve të Ballkanit me sa e di unë është më 26 shkurt në Londër me EBRD. Nëse keni projekte po e shfrytëzoj këtë rast edhe këtë mundësi që na ka ofruar ministria, me iu lut deri ka java e parë e shkurtit ndonjë projekt që ka vërtetë arsyeshmëri të lartë t’i propozoni qeverisë që ta propozon para EBRD-së në këtë rast komunat jeni përfituese absolut, iu vjen në formë grantit”, tha Haradinaj, transmeton kp.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka prezantuar para kryetarëve të komunave të Kosovës programin për zhvillim rajonal.
Ai ka thënë se ministria që ai drejton do t’i përkrahë projektet që kanë për qëllim zhvillimin socio-ekonomik.
“Me qëllim që të pasqyrojë një zhvillim të balancuar Ministria e Zhvillimit Rajonal, do të planifikojë, zhvillon treguesit dhe do të përgatisë analiza për monitorimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar, të cilat do t’i paraqiten Qeverisë edhe me raporte përkatëse. Programi i zhvillimit rajonal, i lansuar këtë javë i dedikohet komunave ku do të përkrahen projekte të investimeve kapitale që ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik. Ministria e Zhvillimit Rajonal , gjithashtu në javën e ardhshme do të lansoj edhe programin për zhvillimin rajonal të balancuar i cili do të përkuar projekte të bizneseve, të cilat gjenerojnë vende të reja të punës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Demiri.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, ka kërkuar nga kryetarët e komunave, mobilizim të Drejtorive të Arsimit që testi PISA këtë vit të dalë i suksesshëm.
“Nëse në një komunë të caktuar testi del i dobët shumë, është problem. Ju kisha lutur që ta merrni përsipër gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim, folën edhe zëvendësministri i MAPL-së, Beqir Fejzullahu dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, njëherësh kryetar i Komunës së Shtimes, ndërsa prezantimin e programit për zhvillim rajonal të balansuar e prezantoi Besim Kamberaj, u.d.i Sekretarit të Përgjithshëm të MZHR-së.