Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, vizitën e parë si kryeministër po e realizon në QKUK.
Haradinaj është i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, të cilët janë pritur nga drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, nga i cili po informohen për kushtet dhe punën e tyre, raporton Ksp.
Image
Kujtojmë se mbrëmë Kohavisioni ka raportuar se Emergjenca është pa barna të listës esenciale, derisa alarmin e drejtuesve të saj s’e dëgjon askush.
Ndonëse është adresa kryesore ku drejtohen rastet më të rënda dhe urgjente, Klinika e Emergjencës në QKUK ka mungesë të barnave esenciale. Janë katër lloje të barnave nga lista esenciale, të cilat kjo klinikë në vazhdimësi nuk i posedon, pavarësisht kërkesave të shumta që i bëjnë në Ministrinë e Shëndetësisë, raporton KTV.
Pacientët, por edhe familjarët, ankohen se këto lloje të këtyre medikamenteve, duhet t’i paguajnë me para nga xhepi i tyre.
Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, i ka thënë mbrëmë KTV-së se pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë e ka obligim që edhe me Ligjin për Shërbime Emergjente t’ua sigurojë barnat e listës esenciale, nuk po e përmbush këtë kërkesë.
Sipas Lenjanit, Klinika Emergjente shumë herë është detyruar që t’i zëvendësojë barnat që i mungojnë. Nuk është vetëm Klinika Emergjente, e cila përballet me këtë problem. Klinikat tjera janë edhe më keq, e më mirë nuk janë as Qendrat e Mjekësisë Familjare.