Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj, përmes një përgjigje me shkrim, ka reaguar ndaj deklaratave se Qeveria e Kosovës do të procedojë në Parlament një nismë për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Nuk e kanë mohuar një gjë të tillë, por kanë thënë se përkrahin nismën e deputetëve për shfuqizimin i Speciales. Kanë thënë, po ashtu, se me Sepcialen nuk bën të bëhen lojëra të tilla për përfitime personale e politike.
“Nuk komentojmë deklarata të liderëve të partive politike për çështje të këtilla. Ne respektojmë nismën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për Dhomat e Specializuara. Megjithëkëtë, temat e këtilla të ndjeshme nuk duhet të shërbejnë për lojëra dhe përfitime personale e politike”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Express.
Nuk kanë dhënë sqarime se kush po bën lojëra të tilla. Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo edhe Albin Kurti.
Ramush Haradinaj kishte refuzuar të niste nga Qeveria zhbërjen e Gjykatës Speciale. Por, kishte përkrahur nismën e deputetëve, të cilët dështuan për shkak se s’kishin kuorum për ta çuar në Parlament zhbërjen e Speciales.
Kadri Veseli ishte treguar i pafuqishëm pasi s’kishte arritur të bënte kuorum për të çuar përpara zhbërjen e Speciales.
Presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se respekton çdo nismë të deputetëve.
“Kurti, Mulhaxha-Kollçaku dhe Konjufca përsëritën qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi padrejtësinë dhe dëmin që shkakton Gjykata Speciale por edhe për mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të kësaj iniciative. Sidoqoftë, iniciativa tash ka ndryshuar formën dhe shpejtësinë pasi që ajo do të vie si Projekt-Ligj i qeverisë e jo më si nismë e deputetëve në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Gjykata Speciale e themeluar më 2015 me vendim të Parlamentit ishte planifikuar të shfuqizohej në fund të vitit të kaluar përmes një nisme të deputetëve të pushtetit. Kishte dështuar të kalonte në Kryesinë e Kuvendit në mungesë kuorumi.
Kishin reaguar ambasadorët e SHBA’së dhe vendeve të BE’së, duke thënë se një nismë e tillë shkatërron raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.
Prapa kësaj nisme kishin qenë Hashim Thaci, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.
Burime të Express kanë treguar se Vetëvendosje është pajtuar të votojë pro shfuqizimit të Speciales nëse nisma shkon përmes Qeverisë.
Pajtimi ka ndodhur ne takimin që kanë pasur para dy ditësh Glauk Konjufca me Bilall Sherifin, Ahmet Isufin e Memli Krasniqin.