Ndonëse është ftuar të marrë pjesë në Samitin 100, në Shkup, të hënën – ku pritet të jenë, përveç mbi 150 udhëheqësve të bizneseve nga Evropa Juglindore, edhe kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor – kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj, nuk do të shkojë në kryeqendrën maqedonase.
Haradinaj i është përgjigjur negativisht ftesës për të shkuar në Shkup, për shkak të, siç kanë bërë të ditur nga Kabineti i tij për Gazetën Express, agjendës së ngjeshur të tij në Kosovë.
Pasi e ka njoftuar homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, për mosshkuarjen e tij në Shkup, nëpërmjet një letre, kryeministri kosovar e ka ftuar atë që të takohen në Kosovë, në kuadër të një vizite zyrtare, një të ardhme të afërt.
E, në vend të Haradinajt, në Samitin 100 në Shkup, Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri i parë i vendit, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur Kabineti i Haradinajt.
Për dallim prej Haradinajt, pjesëmarrjen në samitin në Shkup raportohet të kenë konfirmuar kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
Pikërisht pjesëmarrja e këtij të parafundit në samit besohet të jetë arsyeja e anulimit të vizitës së Haradinajt në Shkup.
Haradinaj duket se nuk dëshiron ta takojë kryeministrin malazias, Markoviq, i cili së fundi ia ka shuar homologut të tij kosovar shpresat për rinegociim të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet vendit të tij dhe Kosovës.
Markoviq ka thënë javë më parë se Mali i Zi e ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit.
“I kuptoj rrethanat në Kosovë, por Podgorica ka bërë të gjithën që është pjesë e saj dhe se për këtë çështje më nuk do të bisedohet qoftë edhe për një centimetër”, ka thënë Markoviq.