Në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka lexuar raportin e policisë për rastin e gjuajtjes me armë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, Dardan Gashi.
“Policia e Kosovës ka intervistu pesë persona në këtë landë, ndër ta edhe zv.kryeministri Gashi dhe ministri i diasporës. Policia ka konfiskuar dy revole, që janë të modifikuara për gjuajtje. Kjo landë, kjo është në prokurorinë e Gjakovës, sepse qenka në juridiksionin e kësaj prokurorie”, ka thënë Haradinaj, shkruan Periskopi.
Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në shekullin 21 por sërish ka përmendur ‘traditat shqiptare.
“Nëse dojmë me qenë të sinqertë nuk është e hijshme në shekullin 21 me ju ekspozu publikut për gjuajtje me armë, por me folë sinqerisht, janë disa tradita te shqiptarët që e lejojnë këtë dhe nuk janë zhdukë tërësisht. Në pikëpamjet e mia personale, mbaj përgjegjësi qoftë si individ qoftë si i zgjedhur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk është i pajtimit se duhen të merren masa të menjëhershme, pasiqë sipas tij, procesi është duke u shqyrtuar nga organet e rendit.
“Ky rast, kjo interpelancë, është një porosi që të gjithë duhet të korrigjohemi në disa aspekte, përfshirë edhe traditën. Jam dakord që Kosova edhe në traditën e vet të veprojë në përputhje me jetën, me realen me Kushtetutën me ligjet. Nuk du të paraqes këtu pozicion të atij që është befasuar këtu. E marr menjëherë si mundësi që pikërisht trajtimin e kësaj teme në Parlament ta kthejmë në vëmendjen dhe të jemi të orientumë nga zbatimi i ligjit”, ka thënë Haradinaj.