Haradinaj: Nuk po kërkoj unë spastrim etnik, por Beogradi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se ishte keq-interpretuar për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi.

Ai ka thënë se ka folur me vetëdije të plotë, por se deklarata e tij, siç ka thënë ai, është interpretuar më pas “ashtu siç i ka konvenuar dikujt”.

Sipas Haradinajt, lidershipi në Beograd po tenton ta destabilizojnë Kosovën, por siç u shpreh ai ‘ata duhet ta dinë se Kosova nuk do të lëshoj më pe’.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik, por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd, atëherë duhet t’ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes”.

“Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët… po nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë”, tha Haradinaj të martën gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i AAK-së tha po ashtu se deklarata e tij e bërë ditë më parë në RTV Dukagjini ishte interpretuar ashtu siç u ka konvenuar personave të caktuar.

“Është shumë e vërtetë se që ajo deklaratë është kapur për bishti, e kujt i ka konvenuar ajo le ta mbajnë përgjegjësinë vet”, tha Haradinaj.

Sipas tij, nuk duhet pasur dilema se në Beograd ka tendenca të hapura për ta destabilizuar Kosovën, transmeton rel.

“Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t’i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folë dhe e përsëris edhe njëherë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë”, u shpreh Harandinaj.

Deputeti Haradinaj ka theksoi se me ndalimin e Ramush Haradinajt po mundohet të destabilizohet Kosova.

“Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatik se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim. Askush më shumë se unë vet nuk e do paqen dhe stabilitetin e Kosovës. Asnjë nga qeveritaret serb nuk i kanë ruajtur as serbët e Kosovës as monumentet historike e kulturore, i kemi ruajtur vet se e kemi kulturë si shqiptar”, ka thënë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia së cilës i takon deputeti, Haradinaj tha të hënën në mbrëmje se deputeti i saj Daut Haradinaj, nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik, por ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një emision televiziv në RTV Dukagjini, Haradinaj kishte deklaruar se “në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, [që Ramush Haradinaj të ekstradohet nga Franca në Serbi] atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare me Ramushin”.

Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga përfaqësues vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar të hënën tha se “deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të parlamentit të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze”.

Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se “dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun”.