Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pavarësisht reagimit të ashpër ndërkombëtar, nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon të deklarohet kundër Gjykatës Speciale.
Ai thotë se qëndrimi i AAK-së është i qartë dhe nëse iniciativa do të vinte në Kuvend, atë do ta votonte AAK-ja, raporton KTV.
Ndërkohë, deputetët e PDK-së janë shprehur të gatshëm t’i tërheqin nënshkrimet e tyre nëse për këtë do të merrte vendim partia.
Derisa Haradinaj nuk ka dashur të komentojë deklaratën e Veselit, atë e ka komentuar ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
“E mirëpres deklaratën publike nga Kryetari i Kuvendit, Veseli, dhe liderët tjerë politikë, të cilët kanë përkrahje ndaj Gjykatës Speciale”, ka thënë Delawie.
Deputeti i PDK-së, që në 2015-ën kishte votuar pro Gjykatës Speciale, e më 22 dhjetor kishte votuar edhe pro shfuqizimit të saj, Hajdar Beqaj, thotë se nëse partia merr vendim për tërheqjen e nënshkrimeve, do ta bëjë atë.