Kryeministri Ramush Haradinaj së shpejti pritet ta vizitojë Malin e Zi, ku me zyrtarët shtetërorë në Podgoricë do të mundohet ta “sqarojë” çështjen e demarkacionit mes dy vendeve.
Kjo njëherësh do të jetë ndër vizitat e para të shefit të Qeverisë kosovare jashtë shtetit, pasi që ka qenë pikërisht ai që e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, të nënshkruar dy vjet më parë në Vjenë.
Haradinaj sa ishte në opozitë pretendonte se me këtë Marrëveshje të Demarkacionit Kosova i humb 8200 hektarë tokë, përderisa kufiri i Kosovës, sipas tij, do të duhej të jetë në Çakorr, raporton “Zëri”.
Pas marrjes së “timonit” të Qeverisë Haradinaj shkarkoi Komisionin për Demarkacion me në krye Murat Mehën dhe në vend të tij emëroi ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili po ashtu e kundërshtonte një Marrëveshje të tillë të Shënimit të Kufirit me Malin e Zi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Halil Matoshi, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se pas vizitës së parë që do ta ketë në Tiranë kryeministri Haradinaj do të shkojë në Podgoricë, ku do të takohet me krerët e shtetit të Malit të Zi.
“Sigurisht që kryeministri Haradinaj e ka në agjendën e tij vizitën në Malin e Zi. Por më 27 të këtij muaji do të jetë në Tiranë, ku do të takohen me kryeministrin, presidentin dhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkaq, në takimet e radhës prioritet do të jetë Podgorica, por nuk kemi konfirmim se kur mund të ndodhë kjo, por do të ndodhë në afatin më të shkurtër optimal”, ka thënë ai.
Matoshi tha se gjatë vizitës së kryeministrit në Mal të Zi do të diskutohet çështja e ratifikimit të demarkacionit.
“Nuk mund të themi paraprakisht se çfarëh do të jetë tema e diskutimeve, por sigurisht që pos marrëdhënieve shumë të mira mes dy palëve do të preket edhe tema e ratifikimit të demarkacionit”, ka thënë Matoshi.
Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë intervistës që ka dhënë të enjten për gazetën “Zëri” ka deklaruar se ndër vizitat e para të kryeministrit Haradinaj do të jetë Mali i Zi.
“Është një marrëveshje mes dy vendeve, kështu që kam dëgjuar në takimin tim me kryeministrin se ai po e trajton me shumë kujdes këtë çështje, e kam dëgjuar edhe kur kam takuar ministrin e Jashtëm se e gjithë Qeveria për momentin është duke eksploruar mënyra të ndryshme dhe unë jam e sigurt se, sipas asaj që na është thënë, njëra nga vizitat e para të këtyre zyrtarëve do të jetë Mali i Zi, sepse ky është vendi ku çështja duhet të trajtohet”, ka thënë Apostolova. /ZËRI/