Haradinaj thotë se tash i duhet koha të shkojë pas votuesve të tij, e jo ‘të merret me punë të shtetit’

Pasi ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese interpretim se çka ndodh pas dorëheqjes së tij, Ramush Haradinaj ka dalë në konferencë për media.

Ai ka thënë se i ka bërë thirrje Kushtetueses që të veprojë sa më shpejt, megjithëse është e paraparë që Gjykata Kushtetuese ka një afat kohor prej 60 ditësh derisa t’ia kthejë Haradinajt një përgjigje.

Ai në konferencë për media ka thënë se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje sepse ‘atij i duhet kohë t’i takojë votuesit e tash po duhet me i kry punët e shtetit”.

Si kryetar i Qeverisë nuk kam interes me ardhë në zyre të Qeverisë as pse është ma fllad, por vi se është përgjegjësi. Më nevojitet koha me shku mas votuesve, mas degëve, mas strukturës, tash duhet me i kry punët e shtetit”, ka thënë ai.

“I siguroj qytetarët e vendit që nuk do të lejoj vakum por do të marrim për më shumë siguri përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Unë jam kryeministër i dorëhequr. Akti i dorëheqjes është vendim i kryeministrit që ka qenë në detyrë. Ju kemi drejtu Gjykatës Kushtetuese me vërtetu cka nënkupton kjo pastaj”, ka thënë Haradinaj, shkruan Periskopi.

Ndryshe, ish-kryeministri Ramush Haradinaj njofton se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të tij të dorëheqjes nga posti i kryeministrit.

“Të nderuar qytetarë, Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti. Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ai thotë se kjo kërkesë ka të bëjë me dëshminë që Haradinaj e do lidhur me përgjegjësitë institucionale deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj. Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare”, shkruan Haradinaj.

Kujtojmë se javën e kaluar, kur Qeveria në dorëheqje mbajti një mbledhje të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është kundërshtuar ashpër kjo kërkesë e tij.

PDK, përmes ministrave të saj si Uran Ismaili, Abelard Tahiri e Bedri Hamza por edhe nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, kanë thënë se ‘një kërkesë e tillë është e panevojshme’ për ta nisur në Kushtetuese.

Por edhe ministra të tjerë, nga parti të tjera, nuk ishin pro kësaj ideje të Haradinajt, për ta çuar në Kushtetuese Qeverinë që udhëhoqi deri para pak ditësh.

Lidhur më këtë kërkesë, kanë reaguar edhe partitë opozitare. Vetëvendosje, përkatësisht deputetja Albulena Haxhiu, ka thënë se sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, Haradinaj, tashmë as nuk mundet të jetë palë që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas saj, tashmë është kryeministër i dorëhequr.

E për ta lexuar këtë nen, mund të klikoni në këtë vegzë, përkatësisht Neni 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme