Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me Serbinë, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.
Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova sipas tij ka guxim që të pajtohet me Serbinë.
Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqi, që ta njohin Kosovën në kufijtë aktualë dhe të drejtën e saj për të qeverisur, transmeton ksp.
“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë. Në mënyrë që ne të qeverisim të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Haradinaj ka falënderuat ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite. “Ju me avionët tuaj i ndalët trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull iu falënderon tërë jetën”, ka thënë Haradinaj.