Haxhiu: Kosova do të ketë qendër rehabilitimi për të varurit nga droga

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogave, OJQ “Labyrinth”, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, organizoi një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, ekspertëve të shëndetit mendor, Policisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi punën shumëvjeçare të organizatës “Labyrinth” në trajtimin dhe mbështetjen e personave me varësi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në adresimin e këtij fenomeni.

Ajo theksoi se abuzimi me substancat narkotike mbetet një nga rreziqet më serioze për rininë në Kosovë, duke kërkuar trajtim të hapur dhe të vazhdueshëm në shkolla, familje dhe institucione.

“Duhet të flasim hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun. Parandalimi fillon me informim të saktë, me psikologë, pedagogë dhe mësimdhënës të trajnuar, si dhe me një qasje që të rinjtë e kuptojnë”, tha Haxhiu.

Ajo paralajmëroi se institucionet janë duke punuar në krijimin e një qendre profesionale për rehabilitimin e personave të varur nga substancat narkotike, duke e cilësuar mungesën e saj si një boshllëk të rëndësishëm institucional.

“Republika e Kosovës do të ketë një qendër të rehabilitimit, qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike. Kam marrë zotimet edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe të Ministrisë së Shëndetësisë që kjo qendër do të adresohet. Jam shumë optimiste që në këtë të ardhme të afërt do ta kemi një qendër të tillë rehabilituese, sepse me problemet me të cilat përballemi për mua është e papranueshme që nuk e kemi ende një qendër të tillë”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi gjithashtu nevojën për veprime të vendosura ndaj trafikantëve të drogës, duke nënvizuar se fenomeni nuk kufizohet vetëm në përdorim individual, por përfshin edhe rrjete të organizuara të shpërndarjes dhe trafikimit.

Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet shkollave, ku raportimet për praninë dhe shitjen e substancave narkotike pranë institucioneve arsimore mbeten shqetësuese.

“Personi i varur nuk është kriminel, por ka nevojë për trajtim dhe mbështetje. Kriminel është ai që shfrytëzon varësinë dhe përfiton nga ajo”, theksoi Haxhiu.

Në këtë tryezë u diskutua edhe për sfidat në trajtimin e varësive dhe nevojën për forcimin e programeve parandaluese, të cilat sipas ekspertëve mbeten të pamjaftueshme në Kosovë.

Drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, theksoi se përdorimi problematik i drogave është në rritje dhe se kapacitetet e vendit për trajtim dhe parandalim mbeten të kufizuara.

Ai kërkoi fuqizim të programeve parandaluese dhe përshpejtim të krijimit të qendrave të specializuara për rehabilitimin e përdoruesve të substancave narkotike, duke paralajmëruar se situata kërkon veprim të shpejtë institucional.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë vlerësuan nevojën për koordinim më të madh institucional dhe shoqëror në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave në Kosovë.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme