Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka qenë i ftuar këtë të premte për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Por, Haxhiu ka thënë se nuk ka pranuar ftesë për të qenë pjesë e kësaj seance.
“Është informatë që kam marrë nga mediat. Nuk kam pas ftesë për të shkuar në gjykatore në seancën e Albin Kurtit”, ka thënë Haxhiu në Ora e Fundit të Klan Kosova.
Ai ka pohuar se nuk e ka ditur që ka një seancë për më tepër në të cilën ai është i ftuar për të dëshmuar.
Haxhiu ka thënë se Kurti ka cenuar të drejtat e punëtorëve, të administratës dhe deputetëve.
“I ka rrezikuar në vendin e tyre të punës. Askush nuk ka të drejt t’i dhunojë institucionet e vendit, aq më tepër Kuvendin”, tha ai.
“Nuk kam pasur ftesë, sepse do të shkoja dhe nuk është se do t’i shmangesha një përballjeje më Kurtin, pasi është ai që në vazhdimësi iu shmanget përballjeve me mua me vite të tëra. E kam ftuar Kurtin vite me parë që nëse unë kam thënë të pavërteta për të t’i procedojë ato në gjykatë por që nuk ka pasur guxim”, ka shtuar Haxhiu më tej.
“Befasisht e kam parë që jam dënuar me 200 euro që nuk ju kam përgjigjur gjykatës”, ka theksuar Haxhiu.
“As nuk e kam ditur se jam dëshmitar në këtë rast. Jam i befasuar me masën ndëshkimore ndaj meje, Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit”, ka shtuar ai.
Më tej thekson se nuk e di pse është dënuar dhe se mjetet prej 200 euro më parë do t’i jepte për ndonjë rast social.
“Më parë me ato para do të kontribuoja për ndonjë rast humanitar, sesa të paguajë për neglizhencën e institucioneve të drejtësisë”, ka pohuar deputeti Haxhiu. /Klan Kosova/