Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi të martën se marrëveshja me Danimarkën për burgjet pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda një muaji.
Haxhiu tha se në Qendrën në Gjilan nuk kanë mundur të nisin renovimet derisa kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend.
Këto deklarata ajo i bëri në konferencë për media, bashkë me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.
“Kemi pasur diskutime të gjata të cilat janë përmbyllur. Nuk kemi mundur të nisim renovimet në Qendrën në Gjilan pa u ratifikuar marrëveshja në Kuvend. Shumë shpejt marrëveshja do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, brenda një muaji”, u shpreh ministrja Haxhiu.
Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.
E pas kësaj në prill të këtij viti, ministrja Haxhiu dhe homologu i saj nga Danimarka, Nick Haekkerup, nënshkruan Traktatin i cili i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër dhe promovimin e sundimit të ligjit.
Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.