60 punëtorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare ‘Nagip Rexhepi’ në komunën e Gjilanit kanë mbetur pa punë meqë atyre nuk u është vazhduar kontrata.
Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë ka konfirmuar largimin e punëtorëve të cilët ishin angazhuar që të ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët si pjesë e një projekti i cili ishte bashkëfinancuar nga komuna e Gjilanit, Ministria e Shëndetësisë si dhe nga organizata Caritas.
Por ka një paqartësi në këtë çështje, pasi deklaratat e kryetarit Lutfi Haziri me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjilan, nuk përputhen.
Nexhat Hajrullahu, drejtor komunal i Shëndetësisë në Gjilan ka thënë se arsyeja për ndërprerjen e kontratave është mungesë e buxhetit komunal. Ai pret që edhe Ministria e Shëndetësisë të involvohet në zgjidhjen e problemit sa i përket pjesës së buxhetimit.
“Arsyeja për ndërprerjen e kontratave është mungesa e buxhetit komunal dhe e kemi pasur të vështirë të sigurojmë buxhet për tërë vitin. Për momentin është ndërprerë deri në marrëveshjen tjetër sepse me ligjin e ri ka ndryshuar edhe forma e marrëveshjes dhe duhet të bëhet shpallje dhe munden të konkurrojnë kompanitë dhe shoqatat e tjera’’, ka thënë ai.
Por kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për Periskopin ka mohuar se mosvazhdimi i kontratave është vepër e komunës, duke thënë se këtë gjë e ka bërë Ministria e Shëndetësisë.
Madje Haziri thotë se as komuna nuk ka marrë ndonjë përgjigje për mosvazhdimin e kontratave për 60 punëtorët dhe se janë duke pritur një arsyetim nga MSH-ja.
I pari i komunës së Gjilanit është shprehur i gatshëm që këtyre punëtorëve t’ua vazhdojë kontratat 2018-2019.
‘Ministria e Shëndetësisë nuk ka nënshkruar vazhdimin e kontratave për vitin 2018. Nuk na kanë dhënë as neve arsye, edhe na jemi duke pritë me na dhënë arsye dhe jemi të gatshëm me nënshkru dhe me ua vazhdu kontratat 2018-2019, por ende nuk kemi as përgjigje negative e as pozitive. Kështu që përpos kryerjen e obligimeve financiare gjithë të angazhuarit në këto tri vitet e fundit janë liruar prej punës derisa të nënshkruhet kontrata’, ka thënë Haziri për Periskopin.
I pyetur nëse mungesa e buxhetit komunal është problem për largimin e këtyre punëtorëve, Haziri sërish ia ka lënë përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë, duke thënë se ‘ajo nënkupton para’.
‘Ministria e Shëndetësisë nënkupton buxhet, ajo nënkupton pare. Komuna mjetet i ka, por Ministria e Shëndetësisë është pjesëmarrëse në këtë financim’, ka thënë Haziri për Periskopin.
Ai i është përgjigjur edhe një komunikate të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan të cilët kanë shprehur shqetësimin duke thënë se numri i punëtorëve të larguar është pasojë e keqmenaxhimit.
Haziri thotë që PDK le të merret me dosjet që i kanë në gjykata për krim të organizuar e jo me obligimet komunale.
‘Ata janë shumë të shqetësuar por le të merren me dosjet që i kanë në gjykata për krim të organizuar më mirë, se sa me u marrë me kryerjen e obligimeve në komunë’, theksohet nga Haziri.
Drejtoria e Shëndetësisë në Gjilan hotë se ata do të hasin në probleme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në kategori të caktuara.
“Do të kemi probleme edhe telashe sepse këta punëtor shëndetësor kanë ofruar shërbime siç është vizitat në familje dhe shërbime tjera dhe si projekt ka qenë i mire mirëpo kemi pasur kufizime në buxhet. Po kontrata ka qenë e nënshkruar prej tre partnerëve dhe ka kapur vlerën 270 mijë euro ku pjesën më të madhe të financimit e ka pasur komuna. Këta kanë qenë punëtore me afat të caktuar dhe projekti ka vazhduar sipas mundësisë buxhetore”.