Në Kosovë nga e enjtja (3 gusht) do të ndërpritet qarkullimi i të gjithë trenave në linjën e Pejës dhe atë të Hanit të Elezit. E vetmja linjë hekurudhore që do të mbahet në operim, në transportin e udhëtarëve, mbetet ajo Prishtinë – Shkup – Prishtinë.
Ndërprerja e këtyre linjave, po bëhet për shkak të mungesës së mjeteve financiare, të cilat është dashur të sigurohen nga Qeveria e Kosovës, thonë përfaqësues të hekurudhave të Kosovës.
Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë kërkuar në vazhdimësi nga institucionet qeveritare që të ndërmarrin veprime urgjente për kryerjen e obligime ligjore që ata i kanë për ndërmarrjen.
“Trainkos në mungesë të mjeteve financiare ka ndaluar operimin. Më duhet të them se nuk është vetëm ‘Trainkos’ që ballafaqohet me probleme financiare. Kjo ndërmarrje nuk ka kryer një borxh ndaj nesh prej rreth 700 mijë eurove. Po ashtu, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë subvencionin vjetor që obligohet sipas ligjit për ndërmarrjen tonë, ‘Infrakos’, në vlerë prej 1.8 milion euro, duke na vë kështu në pozitë të rëndë financiare”, sqaron Thaçi.
Në bazë të Ligjit për hekurudhat e Kosovës, autoriteti kontraktues (Ministria e Infrastrukturës) parashihet që t’i mbulojë të gjitha këto shpenzime.
Por, sipas autoriteteve hekurudhore, që nga ndarja e hekurudhave të Kosovës në vitin 2011, këto shpenzime nuk janë mbuluar nga ana e Qeverisë.
Nga kjo periudhë, shtator 2011, janë rreth pesë milionë euro shpenzime të cilat ndërmarrja i ka mbuluar nga buxheti i saj.
Thaçi i bënë thirrje Qeverisë së Kosovë që të merr më shumë seriozitet këtë çështje, pasi që kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, ministri kjo përgjegjëse për hekurudhat e Kosovës, nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, Agron Thaçi thotë se ‘Trainkos’ nuk do të lëshojë linjat e trenave pa siguruar mjetet financiare.
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.
Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, nga ekspertë të fushës konsiderohen të vjetruara dhe se për përmirësimin e tyre kërkohen investime të mëdha.
Sadullah Avdiu, profesori i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë se duhet të bëhen investime, pasi që një transport i mirë hekurudhor do të shkarkonte transportin rrugor.
“Është vjetërsuar traseja, infrastruktura në përgjithësi. Të gjitha këto kërkojnë investime në mënyrë që të kemi një transport të ngjashëm me vendet e perëndimit, ku transporti hekurudhor është kënaqësi dhe jo mundim dhe jo të konsiderohet vetëm për një shtresë, të cilat në pamundësi që të ofrojnë një luks përdorin transportin hekurudhor”.
“Vetëm çmimi nuk është arsye që të shfrytëzohet transporti hekurudhor, por duhet të jenë edhe komponente tjera, ku ndihet rahatia dhe atë e bënë vetëm infrastruktura moderne”, thotë Avdiu.
Ndryshe, Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhës, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.
Linja hekurudhore që përshkon Kosovën më Maqedoninë dhe Serbinë, është 250 kilometra e gjatë, prej së cilës 148 kilometra janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni dhe Serbi. Modernizimi thuhet të ketë filluar dhe do të finalizohet në fund të vitit 2020.