Helmimi i qytetarëve në Krujë, Manastirliu: Po hetojmë të gjitha pistat

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ishte në spitalin e Krujës ku ka parë nga afër situatën e krijuar pasi atje janë paraqitur qindra qytetarë me shenja helmimi.

Ministrja tha se rreth 370 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore ndërsa në spital ndodhen 30 persona.

“Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve, të cilët kanë marrë dhe po vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Krujës. Kam folur me mjekët për gjendjen e tyre shëndetësore. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Pra nuk kemi ndonjë qytetar që ka një gjendje të komplikuar shëndetësore. Praktikisht nga dita e dielë dhe deri më sot rreth 370 qytetarë kanë marrë shërbim. Janë paraqitur pranë spitalit të Krujës, kanë marrë shërbim e nevojshëm, janë vizituar, janë konsultuar dhe gjithashtu kanë marrë shërbime sipas protokolleve të mjekimit. Aktualisht gjatë ditës së sotme janë paraqitur rreth 60 qytetarë, të cilët ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi pasi është vlerësuar që situata shëndetësore nuk ka qenë e rënduar. Tashmë janë dhe disa pacientë të tjerë të cilët janë duke marrë shërbim pranë shërbimit të Urgjencës dhe gjithashtu në disa pavione. Janë rreth 30 qytetarë aktualisht, janë adoleshtë edhe fëmijë gjithashtu edhe të rritur”, theksoi Manastirliu.

Ajo u shpreh se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme.

“Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat.
Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar”, tha ministrja, shkruan tvklan.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme