Gazetar: Mefail Ismaili
Përfaqësuesit e BDI-së në Qeveri heshtin për çështjen e balancuesit për punësimet në institucionet publike dhe shtetërore. Pasi dje zv/kryeministrja Sllavica Gërkovska deklaroi se balancuesi është i pavlerë dhe se keqpërdoret për tu punësuar qytetarë të etniteteve të ndryshme, nga BDI sot nuk kanë folur. Pyetjeve se çfarë qëndrimi kanë për balancuesin nuk u është përgjigjur edhe zv/kryeministri Artan Grubi. Nga opozita shqiptare thonë se me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, vendi është ende shumë larg cakut si në numra absolut ashtu edhe në aspektin hierarkik.
“ASH vazhdimisht ka denoncuar abuzimet me kalkulatorin Balancer sa i përket planifikimit të punësimeve të reja dhe manipulimet me kuotat për komunitetet. Vlerësojmë se duhet të behet analizë e detajuar e këtij sistemi për çdo institucion shtetëror me qëllim të shmangies së abuzimeve. Duhet të kryhet audit i tërësishëm i sistemit dhe të formohet një mekanizëm kontrolli i cili do të bëjë verifikimin e informatave para se të procedohen ato nga kalkulatori Balancer”, thonë nga ASH-ja.
Nga VMRO-DPMNE, thonë se duke pasur parasysh gjendjen aktuale, vendit i nevojiten punësime cilësore dhe profesionale, e jo punësime partiake.
“Balancuesi në një kohë tjetër e ka kryer punën e tij, por në këtë kohë kur na duhet cilësi, duhet të luftojmë për cilësi. Nuk duhet t’i bazojmë punët vetëm përmes balancuesit por duhet vetëm në cilësi. Ky balancues, ja po flas nga një parti politike, ato punësime sipas parimit nga partia politike, pavarësisht a ka qenë i aftë ose jo të jetë në listë na dërguan në këtë situatë pas 30 viteve. Ne duhet njëherë për gjithmonë të them i se cilësia duhet të jetë mbi të gjitha, e jo kuantiteti”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska, VMRO-DPMNE.
Sistemi i Balancuesit ka për qëllim që në institucione gjatë punësimeve të bëhet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike në vendin tonë. Por në periudhën e fundit, vetëm televizioni Alsat, ka publikuar një sërë rastesh, kur qytetarë të etniteteve të ndryshme, janë vetë deklaruar se i përkasin një etniteti tjetër, vetëm për të zënë vendin e punës në konkurset e institucioneve shtetërore si në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë dhe shumë vende të tjera.
Rastin më të fundit për manipulim të balancuesit për punësim e deklaroi Komisioni për Anti-Korrupsion, pasi në konkurs të këtij institucioni një qytetar ishte deklaruar se i përket një përkatësie tjetër etnike, për ta fituar vendin e punës./Alsat.mk