Të gjitha kontratat e nënshkruara që nga vitit 2016 deri në vitin 2018 për blerjen e barnave nga ana e Ministrisë se Shëndetësisë janë bërë subjekt i hetimeve të Prokurorisë se Shtetit.
Kjo pas një hulumtimi të Institutit “Columbus” në bashkëpunim me Grupin Koha. Hulumtimi i këtij instituti dhe dokumentari i transmetuar në “Kohavison” me titull “Depoja e Keqpërdorimeve Farmecutike” pati zbuluar skandalin e blerjes se barnave nga Ministria e Shëndetësisë me çmime abuzive. Sipas hulumtimit kompanitë farmecutike për rreth 2 vjet ia kanë shitur me çmime abuzive mbi 200 lloje të barnave të Listës Esenciale. Mashtrimi me çmim ka nisur nga 100 për qind deri në 2000 për qind me shtrenjtë se sa çmimet reale të këtyre barnave.
Siç ka mësuar “Koha Ditore”, para disa javësh Prokuroria e Shtetit këtë rast ia ka ndarë një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për hetime të mëtutjeshme.
“Fillimisht në maj prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi raportin e institutit ‘Columbus’ e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Raporti ishte marrë në trajtim nga Departamenti i Përgjithshëm, por para disa javësh rastin e ka marrë një prokuror i Departamentit të Krimeve të Rënda”, ka thënë ky burim.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se janë duke i ndërprerë kontratat abuzive të cilat i ka identifikuar Instituti “Columbus” dhe Kohavision.
Sipas Albatrit Matoshit, këshilltar për media i ministrit Uran Ismaili, vetëm për këtë vit ndërprerja e kontratave abuzive i ka kursyer shtetit 6 milionë euro.
“Në total, nga të gjitha aktivitetet e deritanishme të prokurimit, MSh ka arritur të kursejë rreth 6 milionë euro nga ‘Planifikimet sipas Kontratave paraprake dhe vlerave të parashikuara’”, ka thënë Matoshi për “Kohën Ditore” ditë me parë.
Raporti “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” i Institutit Columbus që është nisur pas raportimeve në “Koha Ditore” për abuzime me çmimin e barnave ka gjetur se miliona euro kanë shkuar te disa kompani të caktuara farmaceutike për furnizim me barna në vitet 2016-2017, por që me të njëjtën shumë parash nuk është arritur të blihen më shumë barna sesa në vitet paraprake. Madje sasia e barnave të blera ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve.
Një njësi e medikamentit Noradrenalina në vitin 2015 është paguar me 2.78 euro, ndërsa një vit më vonë MSH-ja ka paguar për të njëjtin produkt 22 euro. Kështu në vitin 2015 për këtë produkt janë paguar 1960 euro, ndërsa në vitin 2016 sasia e njëjtë MSH-së i ka kushtuar 15 mijë e 400 euro. Propofoli është një tjetër bar që është paguar shumëfish më shtrenjtë në këto dy vite. Në vitin 2015 ka kushtuar 4.60 euro, ndërsa një vit më vonë çmimi është rritur në 18.20 euro, thuhet në raport. Përveç barnave, çmimet kanë pësuar rritje astronomike edhe në materialet shpenzuese.



