Alec Baldwin, Robert De Niro, Michale dhe Juliane Moore ishin mes aktorëve e regjisorëve Hollivudiane që ju bashkuan një proteste kundër Donald Trumpit në Nju Jork, në prag të betimit të tij si president.
Baldwin, i cili satirizon shpesh liderin e ri në “Saturday Night Live”, doli në podiumin e ngritur përballë “Trump Tower” për të përcjellë përshtypjet e tij për miliarderin dhe duke imituar atë tha se ishte nisur drejt ambasadës ruse. Më pas ai i cilësoi si një fatkeqësi pjesëtarët e kabinetit Trump.
“Donald Trump, Steve Bannon dhe Mike Pence janë pjesë e një administrate që mendon se ne do të dorëzohemi. Por ata nuk e kuptojnë që kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Fëmijët tanë nuk janë shumë të vegjël për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe për t’u mësuar atyre se çfarë është një amerikan i vërtetë. Këta njerëz janë një fatkeqësi”, tha ai.
Robert De Niro ishte i pari që u ngjit në skenë duke e quajtur Trumpin një shembull të keq për vendin.
“Nuk më intereson se ku shkon ai, por nuk kisha menduar kurrë se do të shkonte në Uashington. Ai është një shembull i keq për vendin dhe për Nju Jorkun”, u shpreh aktori.
Ndërsa Cher e përkufizoi Trumpin një narcizist të pashoq që mund të ndryshonte imazhin e botës.
“Luftojeni Trumpin çdo ditë” dhe “Drejtësi e të drejta civile për të gjithë”, lexohej në disa prej pankartave të mbajtura nga manifestuesit në qytetin ku jeton miliarderi, e ku shumica e njerëzve votuan për rivalen e tij demorkate, Hillary Clinton./Insajderi