“Homo Deus Albanicus”, Kur gënjeshtra shndërrohet në sistem politik!

Nga: Mentor Kikia

Në librin e tij “Homo Deus- Një histori e shkurtër e të nesërmes”, Yuval Noah Harari, trajton taportet mes realitetit dhe gënjeshtrës dhe rrezikun që kjo e dyta të shndërrohet në sistem. Ai sjell shembullin e Kinës, kur në vitet 1958-1961, Mao Ce Dun, vendosi ta shndërrojë Kinën në superfuqi dhe urdhëroi 2 dhe 3 fishimin e prodhimit bujqësor. Zyrtarët lokalë, nga frika dhe servilizimi, raportonin shifra gjithnjë në rritje. Referuar statistikave që raportoheshin, Mao besoi se në depo kishte shumë më tepër drith nga sa i nevojitej dhe shiti më shumë se gjysmën e sasisë, për të blerë makineri dhe armë. Rezultati: Vendin e pllakosi uria dhe dhjetra miliona njerëz vdiqën.

Përplasja mes statistikave të rreme(realitetit të rremë që prodhon administrimi), dhe realitetit të vërtetë, si dhe shndërrimi i gabimeve në sistem që nuk vetëkorigjohet, përshkruhet me një paragraf shumë filozofik nga Harari: “Në vend që të ndryshojnë trillimet e tyre për t’ju afruar më shumë realitetit, ato(qeveritë-administratat) ndryshojnë realitetin, që të përputhet me trillimet e tyre. Në fund, realiteti jashtë vjen e përputhet me fantazinë e tyre burrokratike, por vetëm se këto sisteme e kanë detyruar realitetin të duket kështu”.

E thjeshtëzuar, kjo do të thotë: Ti mund të jesh i varfër. Por statistikat e qeverisë tregojnë se ti nuk je i varfër. Madje ti duhet ta besosh që nuk je i varfër.

Të vijmë në Shqipëri!

-Qeveria thotë se Shqipëria është vendi numër 1 në Botë për sigurinë kibernetike. E vertëta është se është kuadri ligjor që mbështet këtë standard dhe jo vetë standardi.
-Qeveria thotë se Shqipëria është një vend që prodhon kamionë e fuoristrada ushtarake, zjarrfikëse, autoambulanca etj. Por e vërteta tregon vetëm një oficinë ku bëhen shërbime sipërfaqësore automjetesh.
-Qeveria thotë se 30 vende kanë lidhur kontrata për të blerë makina e kamionë ushtarakë “Made in Albania”. E vërteta thotë se “thjeshtë kemi biseduar me disa vende”.
-Qeveria thotë se prodhojmë dhe eksportojmë armë në disa vende. E verteta del e thotë se “ne nuk prodhojmë asgjë, por kemi në plan”.
-Qeveria thotë se Shqipëria është vendi më shkallën më të lartë të gjelbërimit në rajon, e më gjërë. E vërteta është se nga 9 vende, Shqipëria është në vendin e 9-të për sipërfaqen e mbuluar nga pyjet.

Duket sikur kemi mbërritur në një pikë, ku në vend që ta prodhojmë/arrijmë një standard, e fabrikojmë atë dhe fillojmë ta besojmë. Në vend që të mbajmë përgjegjësi për një dëm(zjarr, përmbytje), bëjmë festë, e quajmë sukses dhe arritje, sepse dëmi mund të kishte qenë edhe më i madh.

Pra, siç thotë Harari, në vend që të ndryshohet narrativa e trilluar, për t’iu përshtatur realitetit, po transformohet realiteti përmes krijimit të një realiteti paralel, ku populli duhet të shikojë jo atë që është, por atë që qeveria thotë se është.

The post “Homo Deus Albanicus”, Kur gënjeshtra shndërrohet në sistem politik! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme