Hoti: Me këtë qeveri nuk integrohemi, por vetëm do të largohemi nga BE

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur kritik pas përjashtimit të Agjencionit Kosovar të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë.

Ai ka thënë se me Qeverinë Haradinaj vendi nuk do të bëjë lëvizje para drejt integrimit, por që vetëm do të largohet nga BE, njofton Klan Kosova.

“Në vizitën e delegacionit më të lartë të Komisionit Evropian në Prishtinë, Kosova përjashtohet nga një organizëm evropian. Për shkak të shkarkimit jo ligjor të Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ana e Ministrit të Arsimit më 25 shtator 2017, kjo Agjenci përjashtohet nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë”.

“Në vendimin e Komitetit të kësaj organizate evropiane, theksohet se për shkak të mënyrës se si është shkarkuar Bordi, Agjencia Kosovare e Akreditimit e ka humbur aftësinë që të veprojë në mënyrë të pavarur”.

“Në letrën e dërguar nga Ministri i Arsimit në këtë organizatë theksohet se vendimi i tij është kërkuar nga Kryeministri mbi bazën e informatave të klasifikuara për veprime jo ligjore të disa anëtarëve të Bordit. Por, deri më tani, Ministri dhe as Kryeministri nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor lidhur me këto shkelje të pretenduara të anëtarëve të Bordit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai ka thënë se kjo është goditje për Kosovën.

“Kjo ka qenë arsyeja e mocionit që kemi ngritur në Kuvendin e Kosovës që pika për emërimin e anëtarëve të rinj të Agjencisë Kosovare të Akreditimit të shtyhet derisa Ministri i Arsimit nuk e informon Kuvendin e Kosovës për arsyet e shkarkimit”.

“Për aq kohë sa kemi këtë qeveri, ne jo që nuk do të integrohemi, por do të largohemi nga Bashkimi Evropian. Është bërë shumë mund për të përmbushur standardet për anëtarësim në këtë organizatë. Ndërkaq, me një vendim të papërgjegjshëm dhe me ndërhyrje politike, kthehemi me vite prapa”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme