Vazhdimi i seancës konstituive Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci deputet i Vetëvendosjes e ka thirrur seancën për këtë të enjten, me vetëm një pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në koalicionin PAN janë të bindur se të enjten do të zgjidhet kryetari i Kuvendit, por nuk e përjashtojnë mundësinë që në të njëjtën ditë të votohet edhe për formimin e qeverisë së re.
Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, thotë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë një ofertë për votimin e institucioneve duke u tërhequr nga kandidatura për kryeparlamentar, me kusht që LAA dhe VV ta votojnë kandidatin tjetër të PAN-it dhe Haradinajn për Kryeministër, raporton RTV21.
“Deri të enjten kanë kohë të përgjigjen në ofertën e Veselit”, tha Hoti.
Por, në koalicionin LAA dhe Vetëvendosje thonë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe as formimin e qeverisë ku bën pjesë edhe PDK-ja.
Shefi i Grupit Parlamentar LAA, Avdullah Hoti, thotë se ky koalicion nuk e voton Veslin për kryeparlamentar.
“Qëndrimi i koalicionit LAA është i qartë. Nuk e votojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit”, tha Hoti.
Mirëpo, Hoti është i bindur se të enjten Kadri Veseli do të zgjidhet kryetar i Kuvendit, kurse Ramush Haradinaj kryeministër.
“Janë numrat dhe Veseli të enjten zgjidhet kryetar i Kuvendit”, tha ai.