Hoti: PDK është ‘emër i harruar’, me këto parti do të diskutojmë për formimin e Qeverisë

Avdullah Hoti flet për përvojën e tij që për herë të parë në karrierën politike të udhëheq një proces zgjedhor duke u kandiduar për kryeministër.

Si e vlerëson Avdullah Hoti këtë proces tash pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 Qershorit? A mund të jetë Presidenti “pengesë” për krijimin e Qeverisë së Kosovës në qoftëse PAN nuk arrin t’I ketë numrat. A do të kërkojë LAA interpretim nga Gjykata Kushtetuese për nenin 95 të krijimit të Qeverisë kur mandatari i parë nuk i ka numrat?

Kah po anon më shumë LDK-ja, kah PAN apo VV-ja?

Në një situatë hipotetike kur të dyja grupacionet politike PAN dhe VV do të pranojnë që LDK të udhëheh qeverinë, cila do të ishte preference më e mirë për LDK-në, me PAN apo me VV?

Kush po kontrabandon me deputetë dhe a do të arrijë që koalicioni PAN plus ndonjë deputet “I kontrabanduar”, VV + LDK të krijojë Qeverinë e Kosovës?

Për të gjitha këto dhe çështje të tjera, ka folur Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër.

Botapress: Z.Hoti, për herë të parë në karrierën tuaj politike keni udhëhequr një proces zgjedhor. Si e vlerësoni këtë proces tash pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 Qershorit?

Avdullah Hoti: Ka qenë një përvojë unike për mua. Ka qenë nderë i veçantë dhe përgjegjësi t’i prij listës zgjedhore të LDK-së dhe koalicionit që ndërtuam me partnerët tanë. Për herë të parë i kemi dhënë fushatës zgjedhore në Kosovë një frymë tjetër, pozitive në përmbajtje, bazuar në program, pa fyerje të kundërshtarëve politik. Në përgjithësi është zhvilluar një fushatë e qetë. Rezultati zgjedhorë nuk është i favorshëm për asnjë forcë politike që të ndërtojë qeverinë në vete. Ky rezultat shtron nevojën e ndërtimit të koalicioneve.

Është për keqardhje që skena politike është polarizuar për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të një force politike, që është PDK-ja. Jemi në një moment të veçantë të zhvillimeve politike në Kosovë. Asnjë forcë politike nuk dëshiron të bëjë koalicion me PDK-në dhe grupimin politik ku është PDK-ja. Prandaj, është në interes të zhvillimit demokratik të Kosovës dhe në të mirë të vetë PDK-së që ajo të dalë në opozitë për një kohë të gjatë dhe të reflektojë se çfarë ka bërë që po përballët me refuzim të përgjithshëm.

Nuk do ta lejojmë që presidenti të përdorë diskrecionin e tij në favor të PAN-it

Botapress: Presidenti mund të jetë “pengesë” për krijimin e Qeverisë së Kosovës në qoftë se PAN nuk arrin t’i ketë numrat. A do të kërkoni interpretim nga Gjykata Kushtetuese për nenin 95 të krijimit të Qeverisë kur mandatari i parë nuk i ka numrat?

Avdullah Hoti: Kushtetuta është e qartë, ashtu si edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Nuk duhet të humbin kohë në krijimin e institucioneve. Nuk do të lejojmë koalicionin PAN dhe as Presidentin të mbajnë peng krijimin e institucioneve dhe vullnetin e qytetarëve, nëse koalicioni PAN nuk arrin të formojë Qeverinë. Ne do të përdorim të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore që mos të lejojmë Presidentin të përdorë diskrecionin e tij në favor të një grupi politik prej nga vjen ai. Në këtë përpjekje do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve tjera politike në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti ka luajtur një rol që e cenon paanshmërinë e tij karshi forcave politike, duke punuar në bindjen e deputetëve që të nënshkruajnë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, duke u involvuar për të arritur koalicione parazgjedhore si dhe në fushatë në krah të PDK-së.

Asnjë bashkëpunim me PDK-në

Botapress: LDK nuk ka dalë fituese, por pa LDK-në apo koalicionin LAA nuk mund të krijohet Qeveria. Sipas rezultatit aktual, kah po anon më shumë LDK-ja, kah PAN apo VV-ja?

Avdullah Hoti: LDK-ja nuk është duke anuar në asnjërën anë. Jemi duke e analizuar rezultatin zgjedhor. Po komunikojmë brenda partisë. Po diskutojmë me grupin tonë parlamentar dhe me partnerët e koalicionit tonë.

Kemi vendosur kornizën tonë programore që na mundëson të shqyrtojmë koalicionet që mund të arrihen. Jemi të vendosur si LDK dhe si koalicion që të mos hyjmë në asnjë bashkëpunim me PDK-në. Jemi të hapur të shqyrtojmë partneritetet e tjera sapo të dështojë koalicioni PAN. Do të diskutojmë me AAK, Nismën dhe Vetëvendosjen mbi baza të programit që kemi si parti e qendrës së djathtë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë bashkëpunim me këto parti, në mënyrë që vendit t’i japim një Qeveri stabile, me program të qartë, me qasje pro-evropiane dhe të sigurojmë perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Asnjë parti tjetër nuk mund ta bëjë këtë përveç LDK-së.

Nuk e pranojmë as pozitën e kryeministrit nga PAN-i

Botapress: Në një situatë hipotetike kur të dyja grupacionet politike PAN dhe VV do të pranonin që LDK të udhëheq qeverinë, cila do të ishte preference më e mirë për LDK-në, me PAN apo me VV?

Avdullah Hoti: Më lejoni të qartësoj edhe një herë. Me PAN nuk hyjmë në asnjë koalicion, cilido qoftë pozicioni i LDK-së në atë Qeveri. Me partitë e tjera jemi të hapur. Por, para se të bisedojmë për pozitat në Qeveri duhet të dakordohemi për programin qeverisës. Ne jemi parti e qendrës së djathtë dhe do të sigurohemi se programi qeverisës ruan këtë qasje. Ne jemi anëtar i Partive Popullore Evropian, që është grupimi më i madh politik në BE i partive të qendrës së djathë, dhe duhet të sigurohemi se programi qeverisës është në përputhje me parimet programe të PPE-së.

PAN ka fuqi financiare për të kontrabanduar deputetë, por nuk ka të tillë në mesin e LDK-së

Botapress: Janë përmendur koalicione PAN plus ndonjë deputet “I kontrabanduar”, VV + LDK. Por, a ka edhe ndonjë “matematikë” tjetër të krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Avdullah Hoti: Deklarimet e zyrtarëve të koalicionit PAN se i kanë votat për formimin e qeverisë duke kontrabanduar dy-tre deputetë nga partitë e tjera përbëjnë fyerje për qytetarët e Kosovës. Kjo më së mirë tregon modelin e qeverisjes që mund të ofrojë ky koalicion, pra model i qeverisjes së kontrabanduar. Atë që duhet të bëjë ky koalicion është të analizojë se çfarë po ndodh që askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta. AAK dhe Nisma duhet të reflektojnë për këtë në veçanti dhe të tërhiqen nga ai koalicion sa më parë, sepse fat i tillë në të ardhmen mund t’i gjejë edhe këto parti sikurse PDK-në.

Disa nga deputetët tanë po fyhen duke ju përmendur emrat në media se do ta mbështesin koalicionin PAN, pra se janë kontrabanduar. Sigurisht se koalicioni PAN ka mjaft fuqi financiare për të kontrabanduar deputetë, por nuk ka të tillë në mesin e LDK-së dhe të koalicionit tonë.

Qeveria e ardhshme mund të formohet me disa koalicione të mundshme që e lënë jashtë PDK-në. Ne do të angazhohemi që sapo të dështojë koalicioni PAN të ndërtojmë këto koalicione mbi bazën e platformës politike të LDK-së, si parti e qendrës së djathtë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme