Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit tha se kjo formë e funksionimit nuk duhet të vazhdojë më tutje.
Seanca është ndërprerë pasi që në mungesë të votave nuk është arritur të miratohen rekomandimet e partive opozitare të dala pas debatit të zhvilluar në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për ngritjen e pagave për veten dhe kabinetin e tij.
Hoti tha se është e pasinqertë dhe hipokrizi që ata të cilët sa ishin në opozitë kanë gjuajtur gaz lotsjellës, të dalin në foltore dhe të flasin për moralin e sjelljes politike të opozitës.
“Shumica parlamentare duke parë se nuk i kanë votat e nevojshme për të vendosur çfarëdo çështje në Kuvend, vendosin të mos marrin pjesë fare në votim. Është e pasinqertë, është hipokrizi e madhe që edhe kryetari i Kuvendit dhe kryeministri dalin në foltore aty, i lëshojnë fraza për moralin e sjelljes politike të opozitës, ndërkohë që kur vet kanë qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës, ka përdor dhunë, i ka përdor të gjitha metodat jo parlamentare, jo demokratike, për të bërë opozitë. Ne e kemi fuqinë politike, për të bërë opozitë me numra dhe fuqinë që kemi. Ata i instruktojnë deputetët e vet të PDK dhe AAK që të mos marrin pjesë në procesin e votimit, në mënyrë që të pamundësohet kuorumi i nevojshëm për të marrë vendime….”, tha Hoti.
Ndërkaq, deputeti i Nismës Milaim Zeka tha se bllokada e opozitës është e qëllimshme. Ai tha se deputetët e pozitës po tregohen shumë të papërgjegjshëm, të cilët duhet të japin dorëheqje, pasi që nuk po marrin pjesë në seanca.
“Ne si Nismë së bashku me shefin e grupit tonë parlamentar Bilall Sherifi, shkuam te Avdullah Hoti dhe biseduam për të kaluar rezoluta. Por kushti ynë ishte që me u heq pika ku kërkohet bllokimi i rritjes së rrogave. Për arsye se çështja ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo nuk ka kuptim. Prandaj bllokada është nga ana e opozitës shumë e qëllimshme. Ndërsa vërejtja ime për pozitën është se deputetët e pozitës janë shumë të papërgjegjshëm. Ata deputet të cilët nuk marrin pjesë në seanca, nuk di pse nuk japin dorëheqje nga pozita e deputetit. Ne si pozitë nuk mund të presim që opozita me na i ba kuorumin dhe me na ba numrat. Është njëfarë loje e dyanshme dhe sinqerisht nuk po e kuptoj logjiken e opozitës, si mundet opozita me kërku diçka mbi Gjykatën Kushtetuese… Dhe jemi në një bllokadë totale të parlamentit”, tha Zeka.
Ndryshe, seanca e sotme parlamentare u shty për të mërkurën në mungesë të kuorumit.