Kemi dëshmi në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Kështu është shprehur e para e drejtësisë në Kosovë, Dhurata Hoxha, e cila ka shtuar se luftimi i korrupsionit po ndodh, dhe “beteja” me korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk do të jenë faktor stopues për liberalizimin e vizave.
Hoxha në një intervistë për Gazetën Blic, ka theksuar se Kosova ka me çka të lëvdohet në këtë aspekt.
“Kemi me se të lavdërohemi sa i takon luftimit të korrupsionit, por kurrë nuk është mjaftë. Pse, sepse dukuritë negative shprehen më shpejt se zbatimi i ligjit. Percepcioni është ndryshe nga faktet që dalin, duke mos e zvogëluar rëndësinë e luftimit të kancerit të çdo shteti modern, korrupsionit, qoftë edhe në një rast të vetëm. Pra, kurrë nuk do të pajtohemi me korrupsionin, këtë shteti ynë, qytetarët dhe shoqëria civile duhet të jenë të zëshëm dhe të vendosur në luftimin e tij. Për këtë, çdo herë duhet të kemi dëshmi se korrupsioni, krimi po luftohen. Pra kemi dëshmi.” ka theksuar ministrja Hoxha.
E si dëshmi të vetme për luftën kundër korrupsionit ajo e ka dhënë renditjen që Transparency International ka dhënë për Kosovën në raportin e fundit.
“Kemi statistika shumë inkurajuese, por duhet ende përkushtim të shtuar në këtë drejtim. Por, dëshmi e suksesit të luftimit të korrupsionit, është edhe vlerësimi nga Transparency International që vlerësoi vendin tonë, duke e ngritur për 10 vende më mirë në nivel global, krahasuar me vitin e kaluar. Denoncimi dhe gjykimi i veprave penale, plotfuqishmëria e këtyre vendimeve apo paraqitja e çdo fakti në këtë drejtim, ka po ashtu rezultate inkurajuese. Besoj se edhe në këtë fushë, kemi të arritura.”
Megjithatë Hoxha beson se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk lidhet direkt me liberalizimin e vizave, ashtu siç lidhet demarkacioni, kjo ngase sipas saj luftimi i korrupsionit nuk ka afat kohor, dhe duhet të luftuar gjithmonë, e e kundërta është me demarkacionin i cili ka një afat të caktuar për ratifikim
“Ratifikimi i demarkacionit është kushti vendimtar, ndërsa luftimi i korrupsionit nuk mund të lidhet me afatet. Prandaj, mendoj se nuk duhet të kemi pengesa të lidhura me afatet, kur flitet për liberalizim të vizave. Janë ndërmarrë një varg masash në këtë drejtim dhe konsideroj se kemi dëshmi dhe vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për të ngritur efektivitetin e prokurorisë, gjyqësisë, denoncimin e krimit, mbrojtjen e dëshmitarëve, ngritjen e efikasitetit në ekzekutimin e sanksioneve, por edhe transparenca dhe veprimet tjera në çdo fushë, dëshmojnë se ne jemi në rrugë të mirë.” është shprehur ajo.
Hoxha ka thënë se Kosova është shumë vonë në procesin e liberalizimit të vizave, duke fajësuar për këtë hakmarrjet dhe inatet politike.
Ka thënë se kauza për demarkacionin është e rrejshme dhe krejtësisht politike.
“Tepër vonë, gati tri vjet bëhet çështje një kauzë e rrejshme politike si shkas politik për llogaritë e brendshme politike, për hakmarrje dhe inate politike. Kjo është e tmerrshme se çfarë padrejtësie po u bëhen qytetarëve tanë. Politika duhet ta ketë në fokus interesin e qytetarëve e jo protagonizmin individual apo politik.”ka thënë ajo për Gazetën Blic.
Hoxha ka folur edhe për mesazhet që krerët e Bashkimit Evropian dhanë gjatë vizitës në Kosovë.
Ka pranuar se mesazhe kishte edhe për luftimin e korrupsionit
“Vizita e tre krerëve më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, në vendin tonë, solli edhe mesazhet e veta, e para, konsideroj, ata qëndruan në Republikën e Kosovës në kuadër të turit të tyre, në 6 vendet e Ballkanit perëndimor, pas Planit të publikuar të BE-së për Zgjerim në Ballkanin perëndimor. Pra, Kosova trajtohet njëjtë me 5 shtetet tjera. E dyta, ratifikimi i Demarkacionit duhet të miratohet sa më parë, të forcohet luftimi i korrupsionit e krimi i organizuar, e treta, në angazhimet tona të dinamizuara, do ta kemi mbështetjen e BE-së” është shprehur ajo.
Hoxha ka thënë se ajo dhe institucionet e Kosovës i kanë marrë me shumë seriozitet mesazhet që ky delegacion u ka dhënë.
Ndërsa ka shtuar se po bëjnë përpjeke për ta zënë trenin e fundit, i cili siguron lirinë e lëvizjes për kosovarët.
Hoxha u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të votojnë pro ratifikimit dhe të hapin rrugë për Kosovën drejt Evropës./GazetaBlic/