Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dalë kundër deklaratës së kolegut të tij më lartë në hierarki, Behgjet Pacolli, në një kundërpërgjigje që i ka bërë kryeministres serbe Ana Bërnabiq.
Bërnabiq, ka cituar presidentin e Parlamentin Evropian të ketë thënë në një takim të mbyllur se Serbia nuk ka nevojë ta njohë Kosovën në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Në reagimin përmes Twitter, Hoxhaj tha se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor pa njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë. Hoxhaj deklaroi se një marrëveshje e detyrueshme ligjore duhet të nënshkruhet mes dy shteteve, dhe shtoi se deklarata si ato të kryeministres Bërnabiq janë tentative për ta manipuluar realitetin duke prodhuar lajme të rrejshme.
“S’mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor pa pasur njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e detyrueshme ligjore duhet nënshkruar. Deklarata si këto tentojnë ta manipulojnë realitetin duke prodhuar lajme të rrejshme”, ka shkruar Hoxhaj.
Kujtojmë se ditë më parë, në një intervistë për mediat italiane zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se jo domosdoshmërish Serbia duhet ta njohë Kosovën, mjafton që ajo mos ta pengojë në rrugën e saj drejt BE-së.