Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pranuar një letër urimi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, me rastin e përvjetorit të nëntë të pavarësisë së Kosovës.
Në letrën drejtuar kryediplomatit kosovar Hoxhaj, Tillerson shkruan se “ShBA e vlerëson miqësinë e saj të fuqishme me Kosovën, e cila bazohet në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë”.
Tillerson ka vlerësuar progresin që populli i Kosovës ka bërë në zhvillimin e demokracisë dhe institucioneve multietnike në nëntë vite pavarësi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën të shënojë suksese dhe do të vazhdojmë të punojmë me liderët dhe qytetarët e Kosovës në kërkim të paqës dhe prosperitetit”, përfundon Tillerson në letrën e tij.
Ministri Hoxhaj ka thënë se ky urim është dëshmi e qartë e marrëdhënieve speciale që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Urimi i Sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të pavarësisë së Kosovës është dëshmi e qartë e marrëdhënieve speciale që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo deklaratë është konfirmim i qasjes afatgjate të politikës së jashtme të ShBA-së ndaj Kosovës dhe mbështetjes për të arriturat që ka pasur Kosova në këto nëntë vite pavarësi. Kosova është e përkushtuar për ta thelluar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me SHBA-në i cili është i një lidhje të veçantë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se marrëdhënia me Amerikën është më shumë se një bashkëpunim politik ekonomik e kulturor.
“Për shkak të mbështetjes historike amerikane për Kosovën dhe përmasave të fuqisë së saj në botë, marrëdhënia me Amerikën është më shumë se një bashkëpunim politik, ekonomik dhe kulturor. Ajo është dhe do të mbetet marrëdhënia e veçantë globale për vendin”, ka deklaruar Hoxhaj.