Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e ka konsideruar ngjarje të rëndësishme publikimin e strategjisë së re të BE-së, për 2018-2025. Tha se politika e zgjerimit është qasja më e duhur jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Evropën.
Hoxhaj ka thënë se në vazhdimësi ka kërkuar qasje të balancuar dhe se një gjë të tillë e kanë arritur, sic tha ai, deri në njëfarë pike.
Hoxhaj ka vlerësuar se është jetike për paqen dhe stabilitetin e rajonit, që të kemi një process të drejtë dhe qasje gjithpërfshirëse e meritore për të gjitha shtetet.
“Kjo do të thotë, se me përmbushjen e kritereve të brendshme, Kosova pret nga BE-ja që brenda vitit 2018 ta marrë liberalizimin e vizave, si dhe brenda një kohe të shkurtër statusin e kandidatit për anëtarësim”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se “kjo do të ishte dëshmi e përkushtimit të dyanshëm dhe e një procesi meritor për të gjithë.
Hoxhaj tha se politika e kushtëzimit e BE-së, është jetike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Strategjia është e rëndësisë së veçantë meqë vëmendje e posaçme i jepet dialogut Kosovë – Serbi. Është mëse e vërtetë që stabiliteti i rajonit varet nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të përmbyllte dialogun e Brukselit me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB. Prandaj, qartësia e BE-së në raport me dialogun dhe politika e saj e kushtëzimit është jetike për ta përmbyllur njërën ndër sfidat më vështira historike në Ballkanin Perëndimor”, ka vazhduar Hoxhaj në qëndrimin e publikuar.